
Ka provuar të jetë protagonist në derbi. E di më së miri se sa fort rreh zemra përballë tifozërisë bardheblu. Për më tepër kur arrin të shënojë 2 gola vendimtarë përballë Partizanit. U konsiderua si “benjamini” i tifozërisë kryeqytetase para largimit nga Shqipëria.
Redon Xhixha, sulmuesi i Qarabag rikthehet të japë një intervistë për Newsport.al para derbit të kryeqytetit. Aventura e tij në Azerbajxhan, 4 muajt e parë pa Tiranën si dhe prognoza e tij për përballjen e vitit në Shqipëri, vijnë ekskluzivisht në këtë rrëfim të veçantë.
Ndryshe nga golat spektakolarë, Redoni është i thjeshtë. E thotë gjithçka siç e mendon. Madje tregon edhe prapaskenat e transferimit të tij te Tirana, në ditën kur u kontaktua edhe nga Partizani. Në fund e mbyll me parashikimin për derbin. Pavarësisht mungesave mendimi i tij është i palëkundur.
- Afro 4 muaj prej largimit tuaj nga Shqipëria. Si ndihet Redoni pa Tiranën?
U bë katër muaj që jam larguar nga Tirana. Të them të drejtën, Redoni pa Tiranën, nuk është se ndihet keq. Jam shumë mirë këtu ku jam. Tiranën e kam ndjekur pothuajse në çdo ndeshje. Kam kontakt me të gjithë çunat. Nuk është se e ndjej veten pa Tiranën.
- Po Tirana pa ju?
(Qesh) Ndërsa Tirana pa Redonin, ndoshta, nëse do të ishte Redoni do ta kishte ndihmuar pak më shumë, me ndonjë gol apo pikë më shumë. Por, që... Nuk e di. Tirana pa Redonin duhet të pyesni te Tirana, te njerëzit atje. Nuk e di.
- Si po shkon aventura juaj në Azerbajxhan?
Gjithçka po shkon jashtëzakonisht mirë. Jam ambientuar totalisht. Jam fokusuar te ekipi. Po bëj stërvitje mirë dhe shpresoj ta mbyllim me trofe duke dalë kampionë të ligës.
- Sa e vështirë ka qenë të përshtateni?
Të them të drejtën ka qenë pak e vështirë përshtatja sepse në Azerbajxhan është ndryshe futbolli këtu, nga futbolli në Shqipëri. Edhe stërvitja ka qenë ndryshe. Plus edhe ora s’është njëjtë si atje. Ka qenë pak i vështirë fillimi, por tani u ambientova dhe jam mirë.
- A e keni ndjekur kampionatin shqiptar?
Kampionatin shqiptar e ndjek sa herë kam mundësi. E ndjek gjithmonë. Vetëm ndonjë ditë kur kam stërvitje ose ndeshje vetë që nuk e shoh. Por, në të shumtat e rasteve e ndjek.
- Sipas jush, cila skuadër mbetet për t’u mundur?
Skuadra për t’u mundur, nuk di të them. Tirana dhe Partizani po bëjnë diferencën këtë vit në Superiore. Po luajnë mirë, por mund të them që edhe Egnatia ka bërë jashtëzakonisht mirë në ndeshjet e fundit. Mund të them Tirana, Partizani dhe Egnatia.
- Derbi i kryeqytetit. Ndeshja që e njihni mjaft mirë. Në fazën e parë i bëtë “të flisni me vete” të kuqtë duke i shënuar dy herë. Si e parashikon përballjen e fundit?
Derbi është ndeshja më e mirë e kampionatit. Kjo sfidë do të jetë edhe e sezonit pasi është edhe për titullin kampion. Sa i përket fazës së parë, ishte një ndeshje e mirë realisht për Tiranën dhe për mua. Ishim me karton të kuq dhe shënova 2 gola. Sakrifikuam të gjithë në skuadër. Ka qenë një nga ndeshjet më të mira që kam bërë dhe emocionuese. Është përballja që e veçoj nga të gjitha, thjeshtë për faktin se ishim me 10 lojtarë. Por, edhe arritëm të shënonim. Pastaj edhe goli i dytë nga porta në portë që nuk do ta harroj kurrë. Është ndeshja që nuk do të fshihet kurrë nga memoria ime.
- Pse mendon se fiton Tirana?
Unë mendoj se fiton Tirana sepse ka një ekip, jo që nuk e ka Partizani. Të dyja janë skuadra të mira. Por, ndoshta cilësia është më shumë te skuadra e Tiranës dhe ajo do të bëjë diferencën.
- Partizani ka një organikë të pasur dhe trajneri Colella duket i qetë. Çfarë mendimi keni për profesorin tuaj, Shehin, para një derbi të tillë?
Për trajnerin Shehi, është ndër më të mirët që kam punuar me të. Profesori di ta rregullojë dhe motivojë skuadrën para një derbi. Di ta menaxhojë mjaft mirë, emocionet e saj dhe di t’ia marrë mjaft mirë 100 përqindëshin ekipit të tij. Besoj se edhe këtë ndeshje, trajneri Shehi do ta përgatisë mjaft mirë.
- Tirana me shumë mungesa. Florent Hasani mungesë kryesore. Kush mendon se është i duhuri për ta zëvendësuar?
Sigurisht që Hasani është një mungesë e rëndësishme sepse është golashënuesi i kampionatit, edhe i Tiranës gjithashtu. Zëvendësuesi i duhur, nuk e di. Mendoj që cilido do të zëvendësojë Hasanin, do të bëjë më të mirën e tij të mundshme dhe shpresoj të bëjë mirë sikurse Hasani.
- A keni biseduar me ish shokët e skuadrës para kësaj ndeshje dhe çfarë iu kanë thënë?
Po me shokët bisedoj pothuajse, ndoshta çdo ditë jo, por shumicën e kohës flasim. Kam biseduar edhe për derbin. Ata janë të përgatitur. Shpresoj të dalin fitimtarë se për ata do të ishte jashtëzakonisht mirë. Janë të motivuar, normalisht sepse është derbi i kryeqytetit Dhe në radhë të dytë luhet titulli kampion. Dikur kanë pas thënë: Më mirë humb derbin dhe fito kampionatin. Por, tani duhet fituar derbi pa të fitohet kampionati.
- Behiratçe, Hila dhe Hasani. 3 mungesat e fundit të Tiranës pas Teutës. Cili mendon se e ka penalizuar më shumë ekipin bardheblu me mungesën e tij?
Të 3 janë mungesa të rëndësishme, si Behiratçe, Hasani edhe Hila. Të 3 janë lojtarë që kanë bërë mjaft mirë, lojtarë formacioni. Ndoshta mund të veçoj pak Hasanin sepse te pjesa e sulmit nuk është se ka shumë futbollistë në dispozicion. Një e ka të dëmtuar, njëri s’është në formën më të mirë fizike. Ndoshta ai, por që dhe Behiratçe apo Hila janë mjaft të rëndësishëm.
- Karriera juaj sapo ka nisur në nivele të larta dhe urojmë të jetë e gjatë jashtë vendit. Por, nëse do të ktheheshe, Tirana sërish destinacioni juaj?
Unë kam synim që të mos kthehem në Shqipëri. Ndoshta në përfundim të karrierës, do të mendoja një rikthim. Por, jetës nuk i dihet. Jeta ka të papritura. Nëse do të ndodhë, nëse do të kthehesha në Tiranë, nuk e di... Nuk e mendoj. Por, nëse vij, normal që Tirana është një nga zgjedhjet e para.
- Për ju ka pasur interes dhe Partizani para transferimit te bardheblutë. A do t’i thoje “Po” një ofertë të majme?
Po, është e vërtetë që ka pasur interes nga Partizani para se të shkoja te Tirana. Një pjesëtar i klubit Partizani më kontaktoi dhe më tha që për një takim me drejtorin e Partizanit. Por, unë atë ditë kisha takim me presidentin Halili dhe nuk u bë e mundur. Shkova direkt te vila “Gold”. Bisedova me Halilin dhe ramë dakord që në takimin e parë për kushtet e mia dhe të atij. Pastaj në takimin e dytë kam firmosur kontratën dhe u bëra pjesë e Tiranës. Sa i përket shumës së majme, nuk besoj se do të shkoja te Partizani dhe të lija Tiranën për lekë.
- Guerrils apo Fanatics, kush sundon derbin e fundit të këtij sezoni futbollistik?
Sa kam qenë pjesë e Tiranës, unë e kam parë që e kanë sunduar gjithmonë Fanaticsat derbin. Jo vetëm derbin, por çdo lloj ndeshje. Jam i sigurtë që do të jenë sërish Fanaticsat ata që do të sundojnë qytetin.
- Parashikimi juaj, golat dhe autorët e tyre...
Mendoj që derbi do të përfundojë 1-0. Goli do të shënohet nga Abazaj ose Lushkja, njëri nga të dy. Shpresoj të shënojnë edhe të dy, pse jo 2-0. Por, që... parashikimi im është 1-0. /Retin TOKA/