
Jetëgjati s’bëhet kurrë jetëshkurtër e këtë shprehje të moçme e nxjerr më së miri në pah, Klevi Qefalija. Ishte një ditë e zakonshme, pak e veçantë për të sepse profesor Shehi e kishte përzgjedhur si titullar. Është ende në fillimet e karrierës së tij, padyshim mjaft premtuese.
Asesi s’e kishte menduar se brenda atij 90 minutëshi do të përjetonte momentet më të frikshme të jetës së tij. Tirana luan këtë javë kundër Partizanit në derbi, një ndeshje që nuk luhet vetëm për 3 pikë, por edhe për prestigj.
Edhe pse larg fushës së blertë, Klevi rikthehet sërish pranë bardhebluve. Këtë herë me një intervistë enkas për Newsport.al. Ai tregon gjendjen shëndetësore, si dhe analizon supersfidën me të kuqtë. Në fund e mbyll me “qershinë mbi tortë”, mesazhin për tifozët bardheblu.
- Fillimisht, Klev si jeni?
Faleminderit! Tani ndihem mirë dhe po i jap kohë vetes për të marrë veten plotësisht.
- Keni kaluar disa çaste jo të mira në jetën tuaj. Çfarë kujton nga Rrogozhina?
Nga ai moment kujtoj vetëm goditjen dhe për një periudhë kohe të konsiderueshme nuk kujtoj asgjë. Edhe çastet e zgjimit në spital janë të turbullta.
- Kush të ka qëndruar më afër pas incidentit?
Fillimisht ka qenë ndihma e stafit mjekësor të ekipit. Në momentet e para ka qenë doktor Arzen Voci që më ka ndihmuar gjithë kohën deri në spital. Atje kisha pranë mjekët e spitalit dhe kam komunikuar me mjekun tjetër të ekipit, Aldo Vangjeli. Sigurisht si mbështetje, përveç familjes kanë qenë shokët e ekipit, trajnerët dhe i gjithë stafi i klubit të Tiranës. Edhe Federata më ka qëndruar pranë dhe është interesuar për mua.
Ndërkohë si mbështetje që nga momenti i incidentit e deri më sot ka qenë ajo e presidentit Halili dhe e gjithë familjes së tij. Presidenti ka qenë mbështetje në kurimin tim jo vetëm me kontaktet me mjekët, por mbi të gjitha me suportin pozitiv për një rikthim të shpejtë e me të gjitha energjitë pranë skuadrës.
- Për kuriozitet, jeni kontaktuar nga lojtari i Egnatias, Hamzat?
Jo, nuk kam pasur asnjë komunikim.
- Mendon se ajo ndërhyrje mund të ishte shmangur?
Besoj se po. Nuk mendoj se ka qenë e qëllimshme, por një ndërhyrje e pakujdesshme që një futbollisti i kushton shumë.
- Si po e kaloni këtë periudhë?
Këtë periudhë po e kaloj në qetësi duke ndjekur këshillat e mjekëve për rikuperim të plotë e që të mund t’i kthehem skuadrës me energji të reja.
- Kur mund të ktheheni në stërvitje?
Dëshira ime është që tani, por sipas mjekëve mund të filloj stërvitjen pas një muaji. Megjithatë gjithçka varet nga kontrolli pasardhës.
- Tiranën e pret derbi. Si e shihni këtë sfidë?
Sigurisht derbi pritet gjithmonë me emocion. Mendoj që do të kemi fitore dhe në derbin pasardhës të mund të jem krah skuadrës.
- Pse mendon se fiton Tirana dhe pse mendon se humb Partizani?
Fiton Tirana, sigurisht. Mendoj se kemi skuadër më cilësore se Partizani dhe një ndeshje derbi luftohet gjithmonë për t’u fituar.
- Do e ndiqni ndeshjen nga shtëpia apo në stadium?
Deri të dielën besoj se do të jem akoma më mirë. Kështu që do të jem në stadium.
- Mesazhi për tifozët e Tiranës?
Tifozët janë mbështetësit kryesorë për ekipin. Të jenë sa më të shumtë në stadium për të mbështetur skuadrën e zemrës në rrugën drejt fitores. /Gledi FEJZA/