Bruno Telushi, kapiteni i skuadrës së Flamurtarit në një prononcim për newsport.al ka treguar si vijojnë të jenë gjërat në skuadrën vlonjate. 25-vjeçari i kuqezinjve ka pranuar që asgjë në klub nuk është e qartë. Akoma nuk ka një objektiv të qartë të skuadrës për sezonin që vjen. Pas shumë aludimesh mesfushori i skuadrës vlonjate ka pranuar që në skuadrën vlonjate vetëm Astrit Fazliu është prezantuar.
"Përsa i përket objektivave të Flamurtarit nuk mund t'iu them asgjë. Unë si kapiten i skuadrës vlonjate mund t'iu them vetëm që unë kam nënshkruar një kontratë një-vjeçare me klubin kuqezi. Për objektivat nuk di asgjë, pasi ekipi nuk është i plotësuar. I vetmi afrim i zyrtarizuar, është Astrit Fazliu. Zëra ka plot, por akoma asgjë konkrete", ka deklaruar kapiteni.
I pyetur për marrëdhëniet e tij me administratorin Idrizi dhe tifozët e Flamurtarit, ku flitej për një ftohje mes tyre, vlonjati e ka mohuar këtë.
"Unë me administratorin Idrizi kam marrëdhënie të shkëlqyera. Gjithashtu dhe me tifozët. Ata e duan shumë skuadrën tonë, po ashtu edhe unë ata", ka shtuar Telushi.
25-vjeçari u përfol për një kalim të tij në disa klube të Superiores, por gjithçka që thotë është:
" Shumë skuadra shfaqen interesim për mua. I falënderoj dhe i përshëndes. Gjithashtu dua të flas edhe për ekipet shqiptare që marrin pjesë në kupat e Europës. Disa prej tyre i ka rënë shorti i vështirë, ndërsa disa të tjera fati ishte në anën e tyre. Nuk dua të veçoj asnjë prej tyre, vetëm dua t'i uroj të shkojnë sa më larg", ka përfunduar Bruno Telushi.