
Donald Mëllugja është një nga protagonistë e Egnatias. Mesfushori arriti që në duelin ndaj Dinamos të asistojë në golin e dytë dhe të fitores për të tijtë, të cilët do ta mbyllin këtë vit si kampionë dimri.
28-vjeçari me eksperiencën e tij ia ka dalë të ndihmojë rrogozhinasit, teksa në fokus tashmë është dueli me Partizanin që do të luhet ditën e mërkurë në orën 19:00 në “Air Albania” ku do të bëhen edhe llogaritë për Superkupën e Shqipërisë.
Ish-lojtari i Burrelit me fanelën e Egnatia ia ka dalë të fitojë Kupën e Shqipërisë, ndërsa në një prononcim për “Newsport.al” është shprehur i bindur se rrogozhinasit do të fitojnë një tjetër trofe për ta mbyllur vitin 2023 në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Fitorja ndaj Dinamos? Të them të drejtën ishte shumë e rëndësishme, pasi kërkonim me patjetër ta mbyllnim vitin si kampionë dimri. Ishim të sigurtë që fitorja ndaj Dinamos do na shkëpuste akoma më shumë nga Partizani.
Asisti te goli i fitores? Jam shumë i lumtur që ia dolëm dhe morëm 3 pikët. Një fitore e merituar, të cilën e përjetuam shumë mirë. Sigurisht kemi një kënaqësi të madhe pasi tashmë e mbyllin të parët fazën e parë të kampionatit.
Kampion dimri, sa iu motivon për pjesën e dytë të sezonit? Një motiv më shumë për të vazhduaar për të bërë ndeshje të mira dhe për të marrë rezultate pozitive. Kjo na motivon akomë më shumë për t’u rritur dhe kemi shumë besim që jemi pretendent për titullin kampionë.
Rivali më i fortë? Padyshim është Partizani. Ndaj tyre kemi luajtur në dy ndeshje dhe kemi marrë dy barazime dhe mendoj se Partizani është ekipi më i fortë me të cilin jemi përballur.
Superkupa? Një ndeshje e rëndësishme, kundër një rivali të fortë dhe të vështirë. Jam shumë i bindur se do ta fitojmë këtë trofe. Jemi një super ekip dhe mendoj se do ta kalojmë me sukses edhe këtë ndeshje”.
/Floridona ADEMAJ/