
Redon Xhixha dhe Donald Mëllugja janë në radarët e klubit të Tiranës. Burime të besueshme bëjnë me dije për Newsport.al që ish-sulmuesi i Laçit dhe lojtari që sapo mbylli aventurën me Partizanin, kanë arritur në parim marrëveshjen. Ende s'është bërë zyrtare pasi drejtuesit e Tiranës po punojnë paralelisht në disa fronte për të përforcuar ekipin.
Xhixha ishte një nga lojtarët kryesorë të formacionit të trajnerit Shpëtim Duro në sezonin e shkuar. Shtatshkurtri i dha fund aventurës me kurbinasit dhe tashmë është pranë firmës me bardheblutë. Sakaq, Mëllugja u transferua te Partizani në merkaton e dimrit. Por, s'u arrit të përshtatej me manovrën e Ilir Dajës duke i dhënë fund aventurës tek të kuqtë. Edhe mesfushori është drejt akordit me 25-herë kampionët e vendit.
Ndryshe nga sezonet e tjera, këtë herë te Tirana po punohet në disa fronte. Buxheti i vënë nga klubi në dispozicion të merkatos është i mjaftueshëm, duke tentuar lojtarë cilësorë. Këtë edicion po synohen futbollistë me moshë të re për t'i shërbyer në një të ardhme financave të klubit. Trajneri Orges Shehi i ka idetë e qarta dhe në fshehtësi të plotë po punohet intensivisht për të arritur marrëveshjet me lojtarët e piketuar. /Newsport.al/