
Sezoni 2016-2017 do të jetë i fundit për Orges Shehin në karrierën e tij futbollistike. Burime për newsport.al bëjnë me dije që "gardiani" i kampionëve të Shqipërisë ka vendosur të mbyllë karrierën futbollistike te Skëndërbeu. Gjithashtu po të njëjtat burime bëjnë me dije që gabimet që ka bërë 39-vjeçari në humbjen me Kukësin dhe Partizanin e kanë rënduar situatën në kampin korçar. Pas përfundimit të këtij sezoni pritet të mësohet se cili do të jetë zëvendësuesi i tij te skuadra e Agostinelit.
Kujtojmë që Orges Shehi është pjesë e Skënderbeut që në sezonin 2010-2011 dhe ky është sezoni i 7-të që është pjesë e kampionëve. Vendi i titullarit për të ka qenë i padiskutueshëm, por me kalimin e viteve duket se cilësia e tij në portë ka filluar të venitet. Shehi ka qenë pjesë e Kombëtares kuqezi, por tashmë ka hequr dorë nga ky pozicion në organikën e De Biasit. Me Skënderbeun, durrsaku është shpallur 6 herë kampion i Shqipërisë duke dhënë kontributin e padiskutueshëm në arritjet e kësaj skuadre.