Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

EKSKLUZIVE/ Fitoi titullin e vetëm me TEUTËN, shpallet trajneri i vitit në Poloni, ish-sulmuesi durrsak i "uritur": Rikthehem në Superligë, një ditë do të drejtoj Shqipërinë

Shkruar nga NEWSPORT
EKSKLUZIVE/ Fitoi titullin e vetëm me TEUTËN, shpallet trajneri i

NGA RETIN TOKA

Është larguar nga Shqipëria prej shumë vitesh, por kurrësesi nuk harron vitet e kaluara në Superligën tonë. Ka fituar titullin kampion me Teutën si dhe Kupën e Shqipërisë. Bëhet fjalë për Enkeleid Dobin, ish-sulmuesin e durrsakëve që po shkëlqen në Poloni si trajner i skuadrës së Gornik Polkoëice.

Në një rrëfim ndryshe, enkas për Newsport.al 44-vjeçari i thotë të gjitha nga kujtimet e tij në kampionatin shqiptar, kontaktet me miqtë e vjetër si dhe dëshirën për t’u kthyer sërish në elitë por në rolin e trajnerit.

Nuk ngurron të zbulojë edhe ëndrrën, një ditë të drejtojë kuqezinjtë. E ka ndjekur Superioren sistematikisht, madje tregon edhe lojtarin që i kujton veten e tij në fushë. Në fund, në këtë periudhë të vështirë që po kalon njerëzimi për shkak të virusit Covid 19, jep edhe mesazhin e tij.  

- Pas largimit tuaj nga Shqipëria, si vijoi karriera juaj si futbollist?
Në fillim kam luajtur për NK Varteks (Kroaci) nga viti 1997-2000, për 3 sezone me një huazim për 6 muaj në Slloveni te ekipi i NK Potrosnik Beltinic. Më pas kalova në Poloni te Zaglebie Lubin për 3 sezone nga viti 2000-2033 me një huazim për 6 muaj te Gornik Zabrze po në Poloni. Më pas kam kaluar në Francë për gati 8 sezone me ekipe ES Viry Chatillon, Sainte Gennevieve Des Bois dhe Fleury Merogis 91. Në fund të karrierës jam kthyer përsëri në Poloni dhe kam luajtur për MKS Miedz Legnica.

- Sot jeni 44 vjeç dhe keni disa vite që jeni larguar nga futbolli luajtur, por jeni sërish pranë tij në rolin e trajnerit. Madje jeni shpallur tek trajnerët e vitit në Poloni…
Po, është e vërtetë që ka gati 8 vite që nuk luaj futboll. Por, kam qenë gjithë kohën në kontakt me futbollin sepse shumë shpejt mu dha mundësia që të punoj si trajner te moshat tek një nga akademitë më të mira në Poloni, si Akademia Zaglebie Lubin. Dua të shtoj këtu që një ndihmë të madhe më ka dhënë edhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) për të marrë licencat e duhura të trajnerit nga UEFA B deri te UEFA PRO me në krye presidentin Armando Duka. Këtu natyrisht një ndihmesë të madhe kanë edhe profesorët Astrit Maçi, Hito Hitaj dhe Alban Tafaj që përveç njohurive dhe eksperiencës së tyre, na kanë vënë në disponim trajnerë me karrierë dhe eksperiencë të jashtëzakonshme si Enzo Uliveri, Franco Ferrara apo Ferreto Ferreti etj.

Kurse për çmimin që kam marrë është një sukses jo vetëm i imi, por e një pune të përbashkët të çunave që po performojnë mjaft mirë në fushë. Çmimi është për vitin 2019-të për atë që arritëm duke u ngjitur një kategori më lart. 5 ndeshje pa mbaruar liga të cilën nuk e kishte arritur asnjë klub deri tani (me 15 pikë diferencë).

3- E ardhmja juaj në pankinë duket e ndritur. Çfarë planesh keni?

E ndritur nuk e di me saktësi , koha dhe vendi do ta tregojë dhe verifikojë. Është vetëm fillimi i karrierës sime. E dimë të gjithë se si ështëfutbolli , duhet të tregojmë përulësi dhe punë, punë akoma punë. Gjëja më e rëndësishme që kam mësuar nga jeta dhe futbolli, është se kam ende shumë për të mësuar. Ndërsa për planet , tani për tani mundohem të fokusohem tek puna që bëj çdo ditë dhe të zhvillohem çdo ditë si trajnier dhe të fitoj sa më shumë eksperiencë. Po do të gënjeja nëse do thoja që nuk kam plane ose ndryshe objektiva ne jetë apo në karrierë. Por mundohem t’i marr gjërat një nga një. Një nga ëndrrat e mia është të drejtoj ekipin kombëtar të Shqipërisë. Limitet ekzistojnë vetëm në shpirtin e atyre që nuk kanë ëndrra.

4- Dikur sulmonit në fushë, a ju pëlqen edhe si “timonier” të bënit të njëjtën gjë?
Thonë që mbrojtja më e mirë është sulmi. Po, më pëlqen të sulmojë dhe të diktoj kushtet në fushë. Statistikat e ekipit që drejtoj janë të qarta. Jemi nga skuadrat që shënojmë më shumë, pavarësisht që jemi dhe debutues në ligë. Gjithmonë i them lojtarëve të mi që të argëtohen në fushë duke luajtur futboll. Kemi një shans më shumë se të gjithë njerëzit e tjerë, bëjmë atë që dëshirojmë dhe duam, jo të gjithë në botë kanë këtë mundësi. Prandaj, kur hyjmë në fushë përveç punës, argëtimit duhet të japim dhe zemrën sepse e dashurojmë këtë që bëjmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për të qenë krenar.

- Pas largimit nga Teuta, e keni ndjekur kampionatin shqiptar?
Po e kam ndjekur me aq mundësi sa kam pasur. Tani është më e lehtë ta ndjek sepse na ndihmoni ju gazetarët, rrjetet sociale dhe televizori.

Po e kam ndjekur me sa mundesi kam pasur. Tani eshte me e lehte ta ndjek sepse na ndihmoni  ju gazetaret, rrjetet socjale,televizori etj.

-Cilën skuadër do të veçoje për futbollin më të bukur?
Duhet ta pranoj që zemra më rreht për Teutën, por duhet të jem i sinqertë që vitet e fundit ka qenë Skënderbeu që ka treguar futbollin më të bukur. Këtu mund të shtojmë edhe ekipet si Partizani, Kukësi apo edhe Tirana që po tregon se po kthehet në kohët e saj të arta. Më bëhet qefi më shumë për Egbonë sepse kemi bërë bashkë kursin dhe është njeri i jashtëzakonshëm. Por, prapë se prap bëj tifozllik për Teutën dhe Edi Martinin që kohët e fundit po bën një punë të mrekullueshme.

- Keni pasur oferta për të drejtuar një ekip në Superligën Shqiptare?
Jo shumë, por kam pasur. Por, tani për tani jeta ime është e lidhur këtu në Poloni, në Lubin. Kam pasur edhe këtu oferta në Kategori të Parë. Kanë qenë joshëse, por për arsye familjare nuk mund të lëvizja. Megjithatë tani jam gati për eksperiencë të re. Kam dëshirë të përfundoj kampionatin këtu te Gornik Polkoëice dhe më pas jam i hapur për oferta nga klube të tjera.

- Pse keni zgjedhur të qëndroni larg Shqipërisë?
Kane qenë arsye familjare. Pastaj ime shoqe, Magdalena është polake dhe është nga Lubini ku kam luajtur më parë te Zaglebie Lubin. Këtu në fillim m’u dha mundësia të ushtroja detyrën e trajnerit dhe nusja ime Magdalena ka biznesin e vet këtu.

- A ruani kontakte me ish-shokët tuaj futbollistë? Me cilët konkretisht?

Po ruaj kontakte me shumë nga miqtë e mi dhe jo ish(qesh). Janë pak shumë por mund të citoj disa: Dritan Babamusta, Elton Koca, Xhevahir Kapllani, Uliks Kotrri, Edi martini, Ervin Murati, Ardian Dashi, Adrian Aliaj, Alban Tafaj, Klevis Dalipi, Altin Rraklli, Devi Muka, Emmanuel Egbo, Bajram Fraholli etj.

- Aq sa e ke ndjekur futbollin në vendin tonë, kush mendoni se është trajneri që bën diferencën në Superligë?
Nuk kam qejf të komentoj dhe të them saktësisht se kush, se futbolli është i lidhur me sukseset. Nuk ka trajner të keq apo të mirë, ka vetëm të suksesshëm dhe të pa suksesshëm. Futbolli shumë shpejt evuluon dhe ne si trajnerë duhet të shohim nëse ecim paralelisht me të. Në Shqipëri ka shumë trajnerë të zotë me eksperiencë, por gjithashtu edhe të rinj shumë të talentuar që po tregojnë se mund të jenë të sukssesshëm në të ardhmen.

-Kë zgjedh mes Ilir Dajës dhe Skënder Gegës?
Është e vështirë të zgjedhësh sepse s’dua të bëj rolin e ekspertit. Por, mund të them që të dy kanë qenë të suksesshëm dhe kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Çdo trajner ka personalitetin dhe karizmën e tij.

- Cili është kujtimi më i bukur që ruani kur ishit pjesë e durrsakëve? Një kampionat dhe Kupë e fituar me të madhin Ballgjini dhe më pas trajnerin Bashkim Koka…
Të dy titujt kanë rëndësinë dhe kujtimin e vet. Titulli kampion ka shumë domethënie jo vetëm për mua, por edhe për të gjithë sportdashësit durrsakë sepse është i vetmi titull që Teuta ka fituar në historinë e futbollit shqiptar. Atëherë unë isha në hapat e parë të karrierës. Ndërsa Kupa e Shqipërisë është mjaft e veçantë për nga mënyra se si e fituam. Ka kujtimin më të bukur për arsye se kemi luajtur kundër Tiranës për më shumë se 80 minuta me 10 lojtarë kundrejt 11 të Tiranës në shtesë loje. Për më tepër që dy penalltitë e para i humbëm. Kurse më interesante është që unë shënova gol në penalltinë e fundit për të cilën s’isha caktuar fare sepse isha i dëmtuar në trinë, por s’kishin mbetur më lojtarë për të goditur.

- A do të riktheheshe sërish në Durrës, por këtë herë në rolin e trajnerit?
Po pse jo? Është thjesht çështje kohe.

- Sipas jush, kush lojtar bën diferencën në Shqipëri?
Ka shumë lojtarë cilësorë që bëjnë diferencën në ekipe të ndryshme. Pyetja është cili ka stabilitetin më të mirë dhe vë në funksion të ekipit të gjitha cilësitë individuale. Mua më pëlqen Kallaku i Teutës, i cili nga njëri sezon në tjetrin po bën progres dhe më kujton veten kur luaja me Teutën. Gjithashtu mund të shtoj Bregun, Shkurtajn etj. Në futboll s’është i rëndësishëm individi, por kolektivi dhe skuadra.

- Kombëtarja është orientuar përgjithësisht nga trajnerët e huaj. A mendoni se ka ardhur koha që drejtimin e kuqezinjve ta marrë një vendas?
Këto janë zgjedhje për të mirën e Kombëtares. Nuk ka rëndësi nëse janë të huaj apo vendas, i rëndësishëm është rezultati sepse në fund bëhen llogaritë. Them se në Shqipëri ka njerëz jashtëzakonisht kompetent dhe inteligjentë për të bërë zgjedhjet e duhura. Për shembull trajneri kur vendos për formacionin, nuk është asnjëherë 100 përqind i sigurtë që ka bërë zgjedhjen e duhur, por e bën duke e argumentuar në varësi të lojtarëve që ka në dispozicion. Koha dhe fusha e tregon a ka bërë zgjedhjet e duhura. Kështu është dhe me zgjedhjen e trajnerit. Por, mund të themi që ka trajnerë shqiptarë të zotë për ta drejtuar Kombëtaren.

- Aktualisht futbolli është pezulluar për shkak të virusit “Covid 19”. Çfarë ndodh në Poloni?
Është e njëjta gjë që po ndodh pothuajse në të gjithë Europën. Jemi të gjithë në karantinë. Është me të vërtetë një situatë e jashtëzakonshme për çdo njeri sepse këtu bëhet fjalë për shëndetin tonë, familjarëve dhe të afërmit tanë. Kështu duhet të jemi që të gjithë shumë të përgjegjshëm. Vetëm kështu mund t’ia dalim të gjithë së bashku duke ndenjur në shtëpi duke eliminuar përhapjen sa më të madhe të virusit. Unë kam prindërit në Durrës që kanë problemet e tyre me shëndetin dhe nuk është e lehtë për mua të jem larg. Por, jam optimist që nëse do të jemi të të përgjegjshëm dhe të bashkuar. Me ndihmën e Zotit do t’ia dalim. Qëndroni në shtëpi ju lutem. Uroj shëndet për të gjithë.

- Si do të ndikojë kjo pauzë te futbollistët si nga ana fizike por edhe psikologjike?
E rëndësishme është që të fitojmë këtë betejë përpara e më pas të mendojmë për futbollin. Siç e ka thënë edhe trajneri i madh Arrigo Saçhi: “Futbolli është gjëja më e rëndësishme nga të gjitha gjërat më pak të rëndësishme në jetën tonë”.

- Si i përgatisni lojtarët në këto momente?
Të gjithë lojtarët janë në shtëpitë e tyre në karantinë. Kanë plan stërvitor individual secili dhe mundohen me sa mundësi që kanë ta kryejnë. Nuk është e lehtë, por nuk ka mënyrë tjetër.

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga