Çështja e borxheve është një kalvar i gjatë dhe me tepër vuajtje për vlonjatët, të cilët pasi kanë paguar një seri lojtarësh të huaj dhe të tjerë që i kanë ndëshkuar me -3 pikë, tashmë u duhet të paguajnë edhe një tjetër futbollist, i cili iu kushton -3 pikë në renditjen e sezonit të ardhshëm, këtë e bëjnë me dije burime pranë klubit Flamurtari.

Stanislav Levy, ish-trajneri i Flamurtarit
Vlonjatët më 16 janar të këtij viti u ndëshkuan me -3 pikë për mospagesën në kohë të gjyqit të humbur me lojtarin Toni Pezo, i cili përfitoi 17.500 euro ndaj klubit vlonjat. Kanë pasuar gjyqe të tjerë, të cilët janë mbyllur në kohë dhe klubi shpëtoi nga zbritja e të tjera pikëve, çka do të ishte fatale për Flamurtarin, i cili sezonin e shkuar luftoi për mbijetesën.
Flamurtari evitoi këtë vit edhe penalizimin -6 pikë nga FIFA për mosshlyerjen në kohë të borxhit prej 48 mijë euro të lojtarit Nikola Bajevski, që gjithashtu ka luajtur në kohën kur klubi drejtohej nga Shpëtim Gjika.

Nikoloz Gelashvili kur prezantohej te vlonjatët nga Ardi Behari
Këtë herë bëhet fjalë për sulmuesin gjeorgjian, Nikoloz Gelashvili, i cili ka fituar gjyqin në FIFA kundrejt klubit, por që çështja e pagesës së tij, e cila nuk është bërë, ka kaluar më tej. Duke parë që klubi ka humbur gjyqin dhe duhet ta paguante ish-sulmuesin në kohë, çështja i është drejtuar Dhomës së Komisionit të Disiplinës në FIFA. Pra, kalimi në këtë stad do të thotë që do të ketë vendimmarrje disiplinore, e cila përkthehet në -3 pikë për moskorrektesë nga Flamurtari.
Çështja e gjykimit i ka kaluar të gjitha raundet. Edhe ky lojtar është një problem i mbartur për presidencën e re për shkak se lojtari Nikoloz Gelazhvili ka ardhur te Flamurtari në periudhën “Idrizi”. Por, ky mund të quhet borxh i akumuluar nga koha kur në klub kishte pjesë edhe Shpëtim Gjika si kryetar bashkie, i cili gjatë asaj periudhe sipas një akordi që bëri me Sinan Idrizin ra dakord që ky i fundit të paguajë borxhet e klubit dhe paratë do të shlyheshin në merkato nga ish-kryebashkiaku.

Giorgi Popkhadze kur u prezantua te Flamurtari
Pra, kjo çështje është e komplikuar mes palëve, çka do të thotë se klubi vlonjat duhet të paguajë Gelashvilin, duke mos pritur dhe mbajtur kokën pas nga Shpëtim Gjika, pasi periudha e tij në klub tashmë quhet e mbyllur.
Por, veç këtyre emrave, Flamurtari duhet të shlyejë edhe gjerorgjianin tjetër, Giorgi Popkhadze si dhe trajnerin Stanislav Levy. Këta dy të fundit e paditën në FIFA klubin dhe kanë dalë të fituar, ndërsa janë në pritje të ekzekutimit të vendimit.

Faksimile dokumentit zyrtar të FIFA-s për çështjen “Gelashvili”
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.