Erzeni do të luajë përballë Kukësit në kuadër të javës së 16-të të Superiores. Ndeshja që do të zhvillohet ditën e sotme në stadiumin “Arena Egnatia”, do të startojë në orën 13:30.
Në kampin shijakas duket se ka një atmosferë pozitive dhe optimizëm për tu rikthyer tek fitorja, pas humbjes që morën minimalisht ndaj Skënderbeut. Në prag të kësaj sfide, për Newsport.al ka folur mesfushori i djathtë i Erzenit, Bekim Maliqi. Ky i fundit shprehet se ndaj Kukësit do të dalin në fushë vetëm për 3 pikët.
“Presim të rikthehemi tek fitorja ndaj Kukësit. Vetëm 3 pikëshin e llogarisim si rezultat pozitiv sot. Jemi stërvitur mirë dhe jemi të motivuar. Shpresoj që atë që kemi stërvitur ta bëjmë në fushë dhe të dalim me 3 pikë. Mendon që jemi ekip me kualitet, kemi kuptuar gabimet tona gjatë kësaj kohe dhe jemi gati për të reaguar.
Synimet? Çdo herë kemi synim vetëm ndeshjen e radhës. Të marrim ndeshjet një nga një siç kemi bërë dhe do i qëndroj pas fjalës sime që do të jemi befasia e këtij sezoni”, është shprehur futbollisti i Erzenit, Bekim Maliqi.