Kjo javë e Kategorisë Superiore ka rezervuar një nga duelet më të veçanta të futbollit shqiptar. Kalendari na ofron “Derbin e Kryeqytetit” mes Partizanit dhe Tiranës. Kryendeshja e javës së 15 do të luhet për të parën herë në një impiant modern, ndaj të gjithë do jenë të drejtuar për në “Air Albania Stadium”.
Lidhur me këtë ndeshje derbi, për newsport.al ka folur Ardit Hila, ish lojtar i Partizanit që sezonin e shkuar fitoi titullin kampion me “Demat”. Futbollisti aktual i Prishtinës, tregon për kënaqësinë e të luajturit në një ndeshje të tillë, si dhe rrëfen emocionet e sezonit të shkuar kur Partizani u kthye te suksesi në kampionat pas 26 vitesh pritjeje. Dëmtimet, situata e fundit në stolin e Tiranës dhe parashikimi i ndeshjes, janë disa prej temave të cekura nga Ardit Hila.
– Jemi në javën derbi, si është ndjesia të luash në ndeshjen më të përfolur dhe të ndjekur në Shqipëri?
Derbi është një nga ndeshjet më të bukura, ndaj pret të gjithë kampionatin për të qenë gati në këtë takim. Kjo ndeshje, për vetë rëndësinë dhe peshën që mban është ëndrra e çdo lojtari në të gjitha trojet shqiptare. Emocioni është i papërshkrueshëm.
– Keni zhvilluar një sezon me Partizanin duke u shpallur kampion, 27 ndeshje në total. E keni ndjekur kampionatin dhe nesë po, si ju duket derbi i së premtes?
Më vjen mirë që kontribuova në arritjen e titullit kampion pas gjithë atyre viteve mungesë. E kam ndjekur kampionatin kur kam pasur mundësi por jo shumë. Partizani ka bërë paraqitje të mira, duhet të them se ka pasur ulje-ngritje nga ndeshja në ndeshje. Të dyja ekipet vijnë nga humbjet dhe do jenë të kujdesshme, sidomos në këtë takim.
– Luhet në një stadium të ri, me parametra ndërkombëtarë. Ju e keni mposhtur Tiranën në tre raste që keni qenë në fushë. Do të dëshironit të ishit edhe njëherë pjesë e kësaj sfide ?
Mendoj se është një motivim më tepër për lojtarët. Është kënaqësi e veçantë të luash në një impiant modern, të gjithë duhet ta shijojnë në maksimum. Është e vërtetë që kam fituar tre derbi nga katër të luajtura. Në një takim isha në tribunë për shkak dëmtimi dhe ndeshja përfundoi 0-0. Sa i përket rikthimit, kurrë mos thuaj kurrë por për momentin jam i fokusuar te Prishtina ku po luftojmë për titullin e Kosovës.
– Partizani shkon në derbi pa Telushin, Brojën dhe me gjasë Malën. Mendoni se do çalojë ekipi në mesfushë?
Mendoj se mungesa e Bruno Telushit në derbi do të ndihet shumë. Ndërsa për Esat Malën mund të them se mosprezenca e tij u ndie që në ndeshjen ndaj Bylis në fundjavë.
– Pa trajner dhe me shumë mungesa. Si ju duket kjo Tiranë përpara derbit ?
Është e vërtetë që Tirana ka shumë probleme, nga trajneri dhe deri te lojtarët kryesorë të ekipit që janë dëmtuar. Derbi motivon çdo lojtar dhe bën që të japësh maksimumin në fushë.
– Cili lojtar do të jetë deçiziv për mendimin tuaj dhe rezultati final ?
Kam parandjenjën se pwr Partizanin shënon Jurgen Bardhi dhe rezultati del 1-1.
– Si po shkon aventura juaj te Prishtina?
Pas vështirësisë në fillim për ambientimin në një mjedis të ri siç është kampionati kosovar, tani çdo gjë shkon mirë si për skuadrën dhe për mua. Jemi tre pikë larg vendit të parë, duke luftuar deri në fund për të arritur qëllimin që është titulli kampion. Jemi në garë edhe për Kupërn e Kosovës, pas kualifikimit që arritëm ditën e diel. / Stavro Dhimitri /