
Blerim Kotobelli mund të transferohet te Skënderbeu, të paktën kështu raportonte ditën e sotme "Panorama Sport" duke bërë me dije se burime pranë futbollistit e kanë bërë fakt të kryer kalimin e mëngjërashit në Korçë. Mbrojtësi i Kukësit po kalon një formë të shkëlqyer dhe kjo është evidentuar edhe nga stafi teknik që pritet ta hedhë në fushë me fillimin e sezonit të ri.
Megjithatë, shpesh herë periudha e merkatos ka treguar se ku ka "zë s'është pa gjë". Për këtë newsport.al, kontaktoi vetë futbollistin i cili mohoi zërat e një kalimi në Korçë. Ai theksoi se nuk ka asgjë të vërtetë dhe është pranë rinovimit me klubin e Kukësit.
"U njoha sot me lajmin në fjalë dhe të jem i sinqertë, nuk e di nga dalin këto thashetheme, se më pëlqen t'i quaj kështu sepse s'ka asgjë të vërtetë. Në asnjë moment nuk kam diskutuar për të kaluar te Skënderbeu me gjithë respektin e madh që kam për ekipin korçar. Unë ndihem komod në skuadrën që jam dhe po jap maksimumin tim në stërvitje", tha fillimisht ai.
I pyetur më pas për mungesën e minutave në këmbët e tij, Kotobelli ishte i qetë dhe shkurtimisht tha: "Po kaloj një formë të mirë dhe këtë ma ka vënë në dukje edhe profesor Gega së bashku me drejtuesit. Një shprehje e urtë thotë: "Gjërat e mira vijnë dalëngadalë". Unë s'jam mërzitur, përkundrazi jam mjaft optimist dhe i bindur që do të jap kontributin tim në arritjen e objektivave", shtoi mëngjërashi.
Firma në kontratë është ajo që mungon për momentin dhe kjo ka bërë të ketë mjaft zëra për të ardhmen e tij. Por, siç duket kjo s'e shqetëson aspak lojtarin e linjës së majtë që për herë të parë zbulon: "Kam pasur një bisedë me drejtuesit, por edhe me profesor Gegën. Më kanë thënë që jam në planet e tyre për sezonin e ri. Këto ditë do të rinovoj dhe dua ta theksoj edhe njëherë që sezonin e ri do të jem te Kukësi, për të luftuar dhe besoj se do të arrijmë titullin kampion", përfundoi për Newsport.al, Blerim Kotobelli.