Asnjë skuadër shqiptare nuk arriti të kishte sukses në Kupat e Europës. Pritshmëritë ishin të mëdha, por fusha e blertë tregoi sa e vështirë ishte për to. Në një situatë të zymtë të futbollit në vend, rikthehet Dritan Dervishi.
Emri i ish-drejtorit të Partizanit dhe Kukësit gjithmonë nxit polemika. Ka nga ata që e vlerësojnë punën e tij, kurse të tjerë e kritikojnë. Megjithatë faktet nuk mund të zhbëhen, ai arriti të krijonte një ekip kompetitiv duke konkurruar edhe në sfidat e Champions League.
Në një intervistë enkas për Newsport.al, Dervishi analizon situatën në vendin tonë. Ai tregon arsyet e dështimit të klubeve shqiptare, gjithashtu zbulon edhe tratativat me klubin e kuq. Sipas tij ishte këshilltari Pano Xhixho që nuk pranoi Dervishin si drejtor sportiv. Në fund zgjedh presidentin, trajnerin dhe sulmuesin më të mirë.
– Katër ekipe shqiptare, të gjitha të eleminuar nga Europa. Si mendon, faj i drejtuesve apo ky është niveli i futbollit shqiptar?
Nuk mund të shkohet në përballjet europiane pa një plan të qartë pune, një programacion që duhet të ishte bërë kohë më parë. Kur këto rezultate janë kaq dramatike, mendoj që nuk është faji i nivelit të lojtarëve, por i drejtorëve, stafit teknik dhe presidentëve që bëjnë këto zgjedhje.
– Pse mendon se dështoi Partizani? Po Tirana dhe Laçi?
Sa për Partizani shkoi në këtë përballje i papërgatitur dhe duke nënvlerësuar kundërshtarin. Ekipi nuk u forcua aty ku kishte vërtetë nevojë.
Tiranës iu larguan lojtarë bazë të formacionit dhe gaboi në përballjen e parë në Champions League. Sa për turin e dytë, skuadra boshnjake ishte me të vërtetë një kundërshtar i fortë. Tirana dha maksimumin.
Kurse për Laçin ende s’e kuptoj si u eleminua. Kurbinasit ishin superiorë ndaj skuadrës moldave. Pjesa e dytë një katastrofë e vërtetë.
– Afrimet në Superiore janë me pikatore dhe jo bombastike si në vitet e shkuara. Si e analizon situatën në Shqipëri?
Nuk duhet të shikojmë afrimet nga jashtë me emra të mëdhenj. Duhet të shohim lojtarë të rinj dhe të panjohur që pas disa kohësh të kemi kampion dhe plus valenca për klubet. Duhet të ikë ajo lloj politike e të paguarit të lojtarëve pse vijnë nga klube të mëdha. Dihet t’i bëjmë ne lojtarët. Kjo është një kambanë alarmi për sektorin e të rinjve dhe është aty ku presidentët duhet të investojnë më shumë.
– Keni qenë përfolur për t’u kthyer te Partizani? Çfarë ndodhi?
Ndodhi diçka normale, që presidenti, drejtori dhe këshilltari Pano Xhixho, vendosën një projekt tjetër. E pranoj zgjedhjen e tyre. Është presidenti ai që vendos dhe paguan, si suksesin dhe dështimin.
– A është Mehmeti i duhuri për të kuqtë?
Mehmeti zhvilloi një punë të mirë duke kapur Europën. Por, pas dështimit në Conference League, kam dyshimet e mia.
– Në dyshim është vënë edhe trajneri Shehi te Tirana. A mund të largohet një kampion vetëm se nuk arriti sukses në Europë?
Nuk besoj se presidenti Halili, me përvojën që ka, të largojë trajnerin më të mirë të Superiores. Nuk është e drejtë pasi fitoi një kampionat që këto vitet e fundit nuk e ka fituar asnjë ekip.
– Shpëtim Duro apo Mirel Josa, kë zgjedh?
Mirel Josa, pasi ka fituar shumë trofe dhe ka çuar një ekip shqiptar në grupet europiane.
– Gaz Demi apo Pashk Laska?
Gaz Demin e kam mik. Por, Pashk Laska është presidenti më i aftë i Superligës në këto momente. Një president që jeton për skuadrën.
– Skuka apo Seferi?
Seferi, për eksperiencën që ka. Skuka ka shumë vlera, por duhet të tregojë këtë kampionat cilësitë e tij. /Retin TOKA/