Ish-trajneri i Flamurtarit, Edmond Lutaj, duke marrë shkas nga deklaratat e Rudi Vatës një ditë më parë, ka vendosur të flasë gjithashtu për çështjen e dënimit të Skënderbeut nga UEFA, mungesën e reagimit nga autoritetet shqiptare dhe futbollin shqiptar në përgjithësi.
“E përgëzoj Vatën për kurajon që ka duke i thënë gjërat ashtu siç janë. Ndeshjet e Skënderbeut në Europë i kam ndjekur vetë dhe dukeshin hapur që ishin të manipuluara. UEFA është treguar shumë e butë pasi korçarët duhet të ishin bërë shembull. Por problemi nuk është vetëm te Skënderbeu, pasi edhe shumë klube të tjera bëjnë të njëjtën gjë, dhe më pas drejtuesit e tyre shesin mend në televizion për garë të ndershme dhe investime serioze. Nuk e kuptoj si nuk ka një reagim nga FSHF kur ekipi ynë kampion është dënuar nga UEFA, apo edhe një reagim nga Ministria e Sporteve, e cila duket se është e interesuar vetëm për të marrë merita në suksesin e kombëtares”, ka shkruar Lutaj në një status në profilin e tij në Facebook.
Lutaj ka qënë futbollist i Flamurtarit dhe gjithashtu trajner i tij. Si trajner ai qëndroi në krye të vlonjatëve 6 muaj në sezonin 2011-2012.