
Kryeministri i vendit pas humbjes së Shqipërisë në Lens kundër Zvicrës komenton situatën, duke thënë se është mjaft e vështirë të pranosh një rezultat të tillë, kur djemtë në fushën e lojës merituan fitoren ose minimalisht barazimin. Megjithatë, ai e vlerëson maksimalisht pjesëmarrjen në Europian dhe beson se nëse lojtarët do të shfaqin nivel të tillë në dy ndeshjet e tjera, ata mund t'ia dalin. Megjithatë, ai kërkon që tifozët ta mbështesin këtë skuadër, sepse i ka bërë krenarë që i ka ëuar deri këtu.
"Është keqardhje, sepse nuk mund të dilte Shqipëria pa një pikë në këtë ndeshje të jashtëzakonshme që bëri. Edhe zviceranët e shprehën nën zë. Për futbollin që dhuruam, çunat meritojnë respekt sidomos për shpirtin e garës. Sot duhet të kishim mundur ose të kishim marrë minimalisht 1 pikë me Zvicrën. Është e jashtëzakonshme dhe historike që të jesh në Kampionatin Europian. Të gjithë shqiptarët kanë qenë në ndjekje të kësaj sfide dhe dukej sikur luanim në Shqipëri. Të vjen keq që në një sfidë që mund të marrësh pikë, del i humbur. Fakti që jemi këtu është vet rezultati. Të humbësh një ndeshje si kjo, unë them pse jo mund të kishim marrë një rezultat më të mirë. Çfarëdo që të bëjnë lojtarët, ata janë heronjtë e të gjithë neve. Nuk duhet ti lëshojmë. Kur e sheh nga jashtë mund të bësh gol, por kur je aty e përjeton ndryshe".