Talenti i Malishevës, Drilon Hazrollaj është një nga lojtarët që ka marrë vëmendje jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri. Para disa javësh, Newsport.al mësoi se 19-vjeçari kërkohej nga Ballkani, por më pas u shtuan zërat e dhe për një interesim të Tiranës.
Lexo edhe: https://newsport.al/ekskluzive-ballkani-gati-te-thyeje-arken-per-talentin-e-vitit/
Por tashmë, klubi i Malishevës mesa duket kërkon t’i vështirësojë gjërat për blerjen e tij. Në një prononcim të dhënë së fundmi për mediat kosovare, trajneri i Malishevës, Qëndrim Kida ka folur pikërisht për këtë temë. Ai shprehet se ka oferta shumë të majme nga klube europiane për Hazrollajn.
“Për Drilon Hazrollajn ka interesim nga disa klube evropiane, gjasat janë të vogla që ai të shitet në ndonjë klub në rajon. Një klub evropian ka ofruar 800 mijë euro, por klubi kërkon mbi 1 milion euro”, është shprehur Kida.
Kujtojmë që këtë sezon, Hazrollaj ka qenë një nga pikat kyçe të ekipit të Malishevës, ku në 17 ndeshje ka shënuar 8 gola dhe ka asistuar në 5 të tjerë. Ai gjithashtu luan në shumë role, si qendërsulmues, fantazist apo edhe në krahun e djathtë.