Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LA LIGA

U rikthye në Turqi pas 4 vitesh “lavdi” në Spanjë, vjen REAGIMI i Mallorcas për Vedat Muriqin: Largohet si legjendë e klubit, fitoi zemrat e tifozëve

Shkruar nga NEWSPORT
U rikthye në Turqi pas 4 vitesh “lavdi” në Spanjë,
Vedat Muriqi

Pasi Fenerbahce njoftoi ditën e djeshme rikthimin e Vedat Muriqit, për shumën e 15 milionë euro, ka ardhur edhe reagimi i Mallorcas, skuadrës me të cilën sulmuesi luajti për katër sezone.

Në komunikimin e lamtumirës, klubi i drejtohet me vlerësime të mëdha dardanit, duke theksuar se 32-vjeçari do të kujtohet gjatë pasi ka fituar edhe zemrat e tifozëve të Mallorcas.

Më tej, ata përmendin edhe faktin se si Muriqi me paraqitjet e jashtëzakonshme që kulmuan dhe me thyerjen e rekordit historik, duke u bërë dhe golashënuesi më i mirë i tyre në histori.

POSTIMI:

"Mallorca dhe Fenerbahce kanë arritur marrëveshjen për transferimin e futbollistit Vedat Muriqi.

I ardhur fillimisht në formë huazimi gjatë afatit kalimtar të dimrit në sezonin 2021/22, sulmuesi la menjëherë gjurmë te RCD Mallorca, duke kontribuar në mbijetesën e vështirë të skuadrës në La Liga me pesë gola dhe tre asistime.

Përveç paraqitjeve të shkëlqyera sportive, Muriqi fitoi edhe zemrat e tifozëve të Mallorcës, të cilët e pritën me entuziazëm lajmin se klubi arriti ta mbante përfundimisht në verën e vitit 2022.

Në sezonin 2022/23, ai realizoi 16 gola në La Liga dhe Kupën e Mbretit, duke u shndërruar sërish në një nga lojtarët kyç të ekipit, që e ndihmoi RCD Mallorca të arrinte një vend të nëntë shumë të respektueshëm në kampionat.

Gjatë dy sezoneve pasuese, Muriqi shënoi nga shtatë gola në secilin prej tyre dhe ishte titullar në dy ndeshje historike për klubin: finalen e Kupës së Mbretit në vitin 2024 dhe gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës në vitin 2025.

Në sezonin 2025/26, që sapo ka përfunduar, kosovari shkroi emrin e tij në historinë e Mallorca, duke u bërë golashënuesi më i mirë i klubit në historinë e La Ligës me 57 gola. Me këtë shifër, ai theu rekordin e Samuel Eto'o. Po ashtu, Muriqi e mbylli sezonin si golashënuesi i dytë më i mirë i La Ligës, me 23 gola.

Sulmuesi largohet nga ishulli me 155 ndeshje, 58 gola dhe 12 asistime, por mbi të gjitha si një legjendë e klubit dhe një nga futbollistët më të dashur për tifozët, falë kontributit të tij brenda dhe jashtë fushës.

Mallorca e falënderon sinqerisht për gjithçka ka dhënë për klubin dhe i uron suksese në të ardhmen.”

Poll

Lexo gjithashtu