
Laçi u mposht në shtëpi nga skuadra e Dinamos. Në ndeshjen e luajtur në Kurbin, vendasit u mposhtën me rezultatin minimal 0-1.
Pas kësaj sfide për mikrofonat e MCN TV, foli trajneri i Laçit, Skerdi Bejzade.
“Sot ishin një lojtar më shumë dhe nuk arritëm të barazonim lojën. Kur je një lojtar më shumë dhe nuk shënon dot 1 gol, tregon që Dinamo e meritoi fitoren. Ato ishin më agresivë pjesën e parë dhe po fitonin çdo dyluftim”, u shpreh Skerdi Bejzade.
“Kemi futur në lojë lojtarët që mund të përballojnë Superligën. Nuk është se kemi shumë lojtarë në dispozicion, por ato që kemi, janë futur të gjithë në lojë”, tha më tej trajneri i Laçit.
“Edhe në ndeshjen me Egnatian ne shkonim deri në 16-metërsh, por nuk godisnim dot portën. Shpresoj që në ndeshjet në vazhdim çunat të japin më të mirën dhe të arrijnë të shënojnë gol”, shtoi tekniku.
“Ne kemi lojtarë që kanë peshë, siç është Ujka i cili është një nga lojtarët më të mirë të kampionatit. Kur ai nuk është në ditë të mirë çalon dhe ekipi. Sobowale është një lojtar i mirë, por kishte probleme fizike. S’dua të përmend emra pasi kur e kemi fajin e kemi të gjithë si ekip, nuk janë dy apo dy emra. Kemi dhe 9 pikë në lojë për fazën e parë”, mbylli fjalën e tij trajneri i kurbinasve.