
Situata e krijuar nga virusi "COVID 19" ka shtyrë UEFA-n të marrë vendimin drastik: Përfundimin e çdo kampionati sipas renditjes aktuale. Një lajm ky që vjen në një moment kur e gjithë bota është "paralizuar" për shkak të virusit "Covid 19" që prej më shumë se 3 javësh ka ndalur çdo aktivitet sportiv në mbarë botën. Ishin përfolur shumë skenare, madje thuhej që futbolli do të luhej për gjatë gjithë verës.
Por, është UEFA që pas video konferencës së zhvilluar me 55 Federatat anëtare ka vendosur t'i japë fund çdo kompeticioni, veç Champions dhe Europa League që do të vijojnë rrugëtimin sapo të stabilizohet situata. Kësisoj në vendin tonë, Tirana është kampione e Shqipërisë për sezonin 2019-2020, ndërsa ekipet që shkojnë në Kupat e Europës janë Kukësi, Laçi dhe Teuta (për shkak se Skënderbeu është i pezulluar). Disi befasuese kjo për Partizanin që po priste rifillimin e kampionatit për t'iu afruar kryesuesve.
Në fakt ky është vetëm një lajm për 1 PRILLIN, siç njihet ndryshe dita e gënjeshtrave. Kampionatet në gjithë botën vijojnë të mbeten pezull dhe s'ka asnjë vendim të dalë nga zyrat e UEFA-s. Institucioni i futbollit europian ka deklaruar se do të bëjë çmos që ligat mos të ndërpriten. Pra, miq Tirana s'është ende kampione e Shqipërisë dhe Partizani vijon të jetë në garë për Kupat e Europës. Gëzuar 1 Prillin!