
Shqiptarët anë e mbanë Europës po bëjnë emër nga dita në ditë në futboll. Edhe në një vend si Anglia, ku të paktë kanë qenë kuqezinjtë që kanë pasur sukses, po dalin talente të reja në këto vite. Një ndër ta është Erion Zabeli. Djaloshi 18-vjeçar që është rritur dhe zhvilluar si futbollist në ishull, duket se po bën hapin e madh në karrierën e tij.
Pas eksperiencave në moshat e Watfordd e së fundmi pjesë e Oxford United në League One, sezoni i ri do e gjejë Zabelin në rradhët e Premier League. Më konkretisht është Brentford që ka siguruar shërbimet e shtatlartit. Duke e bërë kështu Zabelin si shqiptarin më të ri dhe të vetëm në histori që transferohet në sajë të një pagese nga një klub në një tjetër klub anglez.
Gara për qendër mbrojtësin duket se ka qenë e vështirë për bardhekuqtë. Kjo pasi për pjesëtarin edhe të kombëtares u-19 të Shqipërisë ka pasur interesim nga disa klube të mëdha. Vlen këtu të përmenden skuadra si: Leeds United, Brighton apo Southhampton në Angli. Si edhe rekordmenët e futbollit skocez, Rangers, por në fund garën për futbollistin e lindur më 08.09.2004 e ka fituar skuadra e Brentford.
“Bletët” siç njihen ndryshe shohin tek Zabeli një të ardhme të sigurtë. Madje duke e krahasuar për stilin e tij dhe fizikun që zotëron me mbrojtësin anglez, John Stones. Futbollist që aktualisht aktivizohet tek Manchester City dhe është një nga më të mirët në Botë në rolin e tij.
Zyrtarizimi i kësaj lëvizje pritet të bëhet në këto ditë e kjo patjetër shton edhe krenarinë e gjithë shqiptarëve kudo. Që do shohin një tjetër bashkë kombas të tyre të luajë në kampionatin më të fortë në rruzullin tokësorë.