
Karin Witasek ka zbuluar komunikimin që ka pasur me presidentin Armand Duka. Ajo jep versionin e saj, duke akuzuar për mosbashkëpunim dhe sabotim të punës që kishte marrë përsipër të bënte nga përfaqësuesit e shtypit të FSHF-së, por edhe të tjerë zyrtarë të këtij institucioni, që i përmend me emra në email-in e fundit, që i ka dërguar Dukës. Ajo është shprehur e indinjuar me presidentin, që sipas saj janë gënjeshtra të radhës të tij dhe largimi i saj nga puna nuk ka ndodhur për atë arsye dhe nuk do të ndodhte ndonjëherë. Ja si shkruan austriakja kreut të FSHF-së sipas redaksisë së “telesport”:
“Mirëmëngjes Armando! Nëse punonjësit e tu të thonë kështu, atëherë kjo është gënjeshtra e radhës. Drejtori i redaksisë së kësaj gazete në Shqipëri më tha edhe se çfarë keni thënë. Unë dua ta mbroj imazhin tim në Shqipëri. Përveç gënjeshtrave, historia e spiunes është absurde dhe më lëndon. Të kërkoj që t’i korrigjosh ato që janë thënë, përndryshe do ta bëj unë”, ka përfunduar austriakja.
Karin Witasek është një profesioniste austriake në fushën e promocionit të cilën drejtuesit e FSHF-së e kishin punësuar pranë kombëtares që ditën e parë të grumbullimit në Austri dhe më pas në Francë. Ajo kishte për detyrë menaxhimin e intervistave të pjesëtarëve të kuqezinjve për mediat e huaja, duke u kujdesur, sigurisht, të përcillte imazhin më të mirë të kombëtares në Europë. Po ashtu, ajo kishte marrë përsipër që të hartonte në fund të Europianit një revistë speciale për kombëtaren shqiptare, duke u fokusuar tek emocionet e kualifikimit historik në “Euro 2016”, por kryesisht tek gjithçka ka ndodhur me përfaqësuesen tonë në Austri dhe Francë. Kuptohet, intervistat e dhëna nga lojtarët, stafi teknik, trajneri dhe presidenti Duka për mediat e huaja, të rregulluara prej saj, do të ishin pjesë e kësaj reviste speciale, e ilustruar me shumë foto.