
Aktualisht, Kategoria Superiore është ndërprerë pa afat, teksa FSHF pritet të njoftojë datën e rinisjes nisur edhe nga situata me Covid-19, virusit vdekjeprurës që ka pushtuar Botën mbarë. Kjo periudhë është në një farë forme edhe reflektimi për të ardhmen, teksa në kampin e kampionëve në fuqi i kanë idetë e qarta. Partizani kërkon t'i besojë projektin afatgjatë italianit Adolfo Sormani, duke rikthyer në ekip disa talente që kanë treguar veten në Kategorinë Superiore.
Akademia e të kuqve gjithmonë ka nxjerrë talente që kanë bërë emër, teksa 3-shja e Luftëtarit, Lika, Çela e Lala piketohen nga të kuqtë për një rikthim në ekip. Lojtarët kanë bërë mirë këtë edicion në Kategorinë Superiore, teksa kanë qenë lojtarët më të spikatur të bluzinjve, pavarësisht moshës së re. Kështu, Partizani po mendon rikthimin qysh në edicionin e radhës të talenteve të saj, me Gresild Likën, Franci Lalën dhe Joan Çelën që pritet të rikthehen në shtëpi.