
Ilir Shulku ka dhënë përshtypjet e para pas rizgjedhjes së Armand Dukës si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit ka treguar benefitet që i vijnë jo veç vendit tonë, por të gjithë Ballkanit.
Ai zbulon aplikimet e bëra nga FSHF-ja për të përfituar organizime të turneve të ndryshëm ndërkombëtar. Në një lidhje skype me gazetaren Beti Njuma, Shulku jep mendimin e vet edhe për kombëtaren shqiptare, që tashmë me trajnerin Sylvinho duket se ka një fytyrë të re.
“Me rizgjedhjen e Dukës si anëtar i Komitetit Ekzekutiv, patjetër që do të ketë avantazh. Kemi aplikuar para disa muajsh për të gjitha kompeticionet që organizon UEFA duke filluar nga kongresi i UEFA-s. Shpresojmë që një nga kompeticionet e mëdha do ta marrim. Duka është një zë i fuqishëm në Komitetin Ekzekutiv. Doja të theksoja më shumë se presidenti Duka, përpos votave, është një ndihmesë e madhe për Ballkanin. Është i vetmi kandidat nga Ballkani. Të gjithë miqtë tanë e kanë votuar bindshëm. Përpos punës së bërë nga FSHF-ja, kjo ka të bëjë shumë me personalitetin e Dukës dhe lobimin e tij për të marrë kaq shumë vota.
EURO 2024? Unë mendoj se patjetër që objektivi ynë është që të arrijmë qëllimin madhor. Të gjithë janë në një mendje se ekipi kombëtar është me një frymë tjetër. Kjo u pa dhe në ndeshjen me Poloninë ku u pa qartë se luajtëm mjaft mirë. Ishte gjynah që nuk morëm një rezultat pozitiv. Jemi të bindur se rezultatet do të vijnë me atë që skuadra dha në fushën e lojës”, u shpreh Ilir Shulku.
Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së ishte pjesë e delegacionit shqiptar për punimet në Asamblenë e Zakonshme të UEFA-s, ku u zgjodh dhe presidenti Duka anëtar i Komitetit Ekzekutiv të këtij institucioni të rëndësishëm europian.