
Kombëtarja shqiptare e futbollit kërkon që ta harrojë sa më shpejt atë "dush të ftohtë" të pësuar në fundjavë ndaj Francës. Islanda do të jetë kundërshtari i radhës për kuqezinjtë, të cilët kërkojnë kthesën pas asaj nate për tu harruar.
Mbrëmjen e sotme, "Elbasan Arena" do të jetë i mbushur plot e përplot në mbështetje të kombëtares së drejtuar nga Edi Reja. Italiani mori përsipër përgjegjësitë e disfatës 4-1 në "Stade de France" dhe këtë pritet ta korigjojë në ndeshjen e sotme.
Siç edhe e tha publikisht në konferencën për shtyp, Reja pritet të sjellë 5 ndryshime në formacionin titullarë. E me këtë "premtim" të 73 vjeçarit, skuadra e Shqipërisë pritet të marrë një tjetër fytyrë, por taktika mbetet e njëjtë, 3-5-2.
Strakosha konfirmohet në portë, ashtu siç Ismajli dhe Djimsiti në repartin e mbrojtjes. "Risi" nga takimi i kaluar është lënia jashtë e Mavraj dhe në të tilla kushte, Dermaku parashikohet ta nis si titullar.
Mesfusha e ngjeshur pritet të përbëhet nga kapiteni Hysaj që konfirmohet në të djathtë. Në këtë repart konfirmohet edhe Bare, teksa Gjasula dhe Memushaj marrin vendet e Abrashit dhe Ramadanit. Në krahun e majtë të mesfushës do të pozicionohet Lenjani, që duket se ka fituar balotazhin me Roshin. Reparti ofensiv do të jetë totalisht i ndërtuar nga e para.
Manaj merr vendin e Uzunit, teksa ato pak minuta ndaj Francës, ku shënoi edhe një gol i kanë "sponsorizuar" një fanellë titullari sulmuesit Sokol Çikalleshi, i cili lë jashtë Bekim Balaj. Gjashtë ndryshime në formacion, të cilët pritet të sjellin zhvillime të reja në kampin kuqezi.
Takimi mes Shqipërisë dhe Islandës luhet sonte në mbrëmje duke nisur nga ora 20:45 dhe është i vlefshëm për javën e 6-të të kualifikueseve të Euro 2020.
Grupi H kryesohet aktualisht nga Franca me 12 pikë, aq sa Turqia dhe Islanda, ndërsa Shqipëria numëron 6 pikë, e shkëputur me 3 pikë nga Moldavia dhe gjashtë nga Andorra.