
Partizani do të presë në “Arenën e Demave” skuadrën e Kukësit për të bërë mes tyre llogaritë për çerekfinalen e dytë të Kupës së Shqipërisë. Ky takim do të luhet në orën 17:00.
Demat do të kërkojnë të mbrojnë deri në fund rezultatin e sfidës së parë të fituar 1-0 në “Kukës Arena” për të siguruar gjysmëfinalen. Ndërkohë nga ana tjetër verilindorët do të tentojnë surprizën ndaj kryeqytetasve për t’u kualifikuar në fazën tjetër.
Një duel mjaft delikat ku dy ekipet përballen për herë tëdytë në histori mes tyre. Sfida e parë shkoi në favor të demave, me Kukësin që ditën e sotme do të kërkojë “hakmarrjen”’ dhe kualifikimin në shtëpinë e kryeqytetasve.
Që nga sezoni 2013-2014 kur Kukësi luajti në Superiore, ekipet janë përballur mes tyre vetëm në kampionat, teksa vetëm në këtë sezon goglat i vunë për herë të parë kundër njëra-tjetrës në Kupën e Shqipërisë.
Mbetet të shihet se si do të shkojë dueli i dytë mes tyre në këtë kompeticion, me ekipet që do të sfidohen “dhëmb për dhëmb” për fitoren dhe kualifikimin për në gjysmëfinale. Në fakr të dyja ekipet e kanë si synim triumfin në Kupë, me verilindorët që e shikojnë këtë trofe si “shpëtimin” e sezonit.