
Pas tre ndeshjeve të zhvilluara ditën e djeshme, sot do të luhen edhe dy të fundit për të mbyllur javën e 16-të. Në orën 13:00, Egnatia do të presë Erzenin në shtëpi për një duel direkt për vendin e katërt që të dërgon në Kupat e Europës.
Shijakasit duan të kthehen te fitorja teksa tre ndeshjet e fundit kanë marrë vetëm 2 pikë ndërsa rrogozhinasit, me tre pikët e mundshme do të shkëputeshin plot 5 pikë nga Erzeni dhe do të kapërcenin Vllazninë me 2 pikë më shumë në vendin e tretë.
Ndeshja e fundit do të jetë ajo e Niko Dovanës ku Teuta do të përballet me Kastriotin në orën 16:00. Durrsakët duan të nisin vitin 2023 me fitore për t’u larguar nga vendi i fundit i renditjes ndërsa për krutanët, një fitore do të forconte shumë pozitat e tyre në renditje teksa do të ngjiteshin në vendin e gjashtë me 21 pikë, 1 më shumë se Laçi dhe 4 më shumë se Bylis në zonën e Play-Out.
Ndeshjet e ditës:
Egnatia – Erzeni, ora 13:00, “Egnatia Arena”
Teuta – Kastrioti, ora 16:00, “Niko Dovana”