Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës Vedat Muriqi ka dhënë një intervistë për të përditshmen spanjolle “Ultima Hora”. Muriqi foli për shumë tema të ndryshme.
Ai po kalon një moment të mirë me klubin ku ai luan në Spanjë, Mallorcan duke qenë golëshënuesi i skuadrës këtë sezon. Sulmuesi foli edhe për kombëtaren e Kosovës, por dhe marrëdhëniet e saj me Spanjën.
“Më shqetëson shumë fakti që Spanja nuk e njeh Kosovën. Kjo do të thotë se familja ime ose miqtë nuk mund të vijnë këtu.
Duhet të marrësh vizë nga Maqedonia, por del se vizat janë vetëm për maqedonasit. Unë vetë pata shumë probleme me lejen e qëndrimit dhe arrita në një pikë që thashë: Do të flas me klubin dhe po iki. Por, në fund u rregullua gjithçka.
Gjithashtu nuk më pëlqen që La Liga nuk na njeh. Një gjë është politika dhe një tjetër, sporti. Pastaj flitet shumë për ‘Jo për racizmin’, por ky është racizëm. Sporti duhet të shërbejë për të bashkuar njerëzit, jo për t’i ndarë ata.
Lista e golëshënuesve? Është një nder të jesh në këtë listë, nuk më intereson se sa gola është diferenca. Por, me lojtarë si Guiza, Etoo, Arango apo Aduriz, është e mrekullueshme.
Si sulmues sigurisht që dua të shënoj shumë, por Guiza, për shembull, mendoj se ai shënoi 27. E njoh mirë sepse isha në Turqi dhe mbaj mend që nga këtu shkoi në Fenerbahce.
Shpresoj të shënoj më shumë, por gjëja e parë është që Mallorca të fitojë. Nëse skuadra fiton dhe unë shënoj, kjo është gjithçka që më duhet.
Oferta? Nuk është sekret që agjenti im merr oferta, por ideja ime është të qëndroj këtu deri në fund të kontratës. Unë kam gjetur vendin tim. Unë luaj, shënoj dhe kam shokë të mirë.
Si futbollist dhe si njeri nuk dua më shumë. Ideja ime është të ndihmoj Mallorca-n për të vazhduar në La Liga dhe për të hyrë në Evropë në vitet e ardhshme. Kjo do të ishte e mrekullueshme.
Kosova? Dua të luaj një Kampionat Evropian apo Botëror me Kosovën”.