
"Loro Boriçi" ka hapur dyert pas rikonstruksionit që i është nënshtruar së fundmi. Pas ndeshjes së Kombëtares kundër Maqedonisë, ishte Vllaznia që provoi të luante në këtë impiant modern.
Por, fundi i sfidës mes Vllaznisë dhe Kukësit mesjavën e kaluar ka dhënë leksionet e duhura te drejtuesit e klubit kuqeblu për sa i përket orarit të zhvillimit të ndeshjeve në këtë stadium.
Në minutën e 90-të të sfidës, prozhektorët e "Loro Boriçit" u fikën dhe stadiumi u përfshi nga errësira. Pas dy minutash, energjia u rikthye dhe sfida Vllaznia-Kukësi mundi të përfundonte me sukses. Ky episod ka trembur drejtuesit e klubit shkodran, që tashmë kanë ndryshuar orarin e takimit kundër Flamurtarit.
Ishte parashikuar që Vllaznia-Flamurtari të luhej në 17:00, por kjo përballje do të zhvillohet në 13:00.
Në Shkodër nuk duan të rrezikojnë që të mbeten sërish pa drita edhe kundër vlonjatëve.