
Dje Liridon Latifi nuk u vendos në fushë kundër Kukësit, ndërsa pak njerëz e kuptuan arsyen pse. Djaloshi kosovar është drejt transferimit në një klub jashtë Shqipërisë, ndërsa gjatë verës ai luajti në Europa League me fanellën e verilindorëve, duke rënë në syrin e klubeve të tjerë.
Ndërsa emri i skuadrës ku mësohet se do të jetë destinacioni i tij i ri, ende nuk bëhet i ditur. Drejtori i Skënderbeut, Haris Fakiç, sqaron situatën e lojtarit, i cili nuk luajti dje dhe tashmë është zyrtare që ai do të largohet nga Kategoria Superiore.
“Për Latifin ka interesim nga disa ekipe nga jashtë, arsyeja pse nuk ka lujtur dje është kjo: Lojtari ka luajtur për Kukësin në formë huazimi në ndeshjet e Europës dhe në qoftë se bënte edhe te ne ndeshje zyrtare, atëherë nuk ka të drejtë për transferim. Pra, për t’i dhënë mundësi edhe për ta mbajtur në jetë mundësinë e transferimit të Latifit, stafi ka vendosur që ai të mos paraqitej në ndeshjen kundër Kukësit në Superkupën e Shqipërisë, sepse është ndeshje zyrtare për sezonin 2016/2017”, sqaron Fakiç.
“Humbja e djeshme në Superkupën e Shqipërisë prej Kukësit vërteton se kampionati jonë forcohet vit pas viti. Sic e kam thënë edhe më herët, është një sinjal për ne dhe për futbollistët tanë që do të thotë se lufta për pikë është duke u afruar. Kjo humbjë veç duhet të na mobilizojë dhe tregojmë se duhet të punojmë më shumë edhe këto 2 javë, në mënyrë që lojtarët e rinj që kanë ardhur të ambientohen sa më shpejtë, çka i bën ata që të kuptojnë se këtu punohet për vendin e parë dhe të kuptojnë me çfarë arsyeje e nisim kampionatin. Skënderbeu do ta nisë kampionatin i gatshëm për të bërë maksimumin dhe për të lufutar për fitore kundër Flamurtarit në Korçë”, shtoi Fakiç në lidhje me humbjen e djeshme dhe me lëvizjet në merkato.