Pak ditë më parë, gazetari sportiv Gëzim Sinemati pohoi se te Flamurtari ka pasur probleme me rrogat, gjë e cila sipas gazetarit ndikoi në humbjen që vlonjatët pësuan ndaj Vllaznisë.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i administratorit të klubit vlonjat, Sinan Idrizi i cili hodhi poshtë këtë gjë, duke pranuar që kush nuk do ta besonte këtë gjë, përfshi dhe Sinematin, të shkonte në Vlorë dhe të kontrollonte llogaritë e lojtarëve dhe stafit teknik të klubit.
Diçka e tillë është përforcuar akoma më shumë sot, pasi mësohet se ditën e hënë janë shlyer pagesat e muajit të kaluar, duke përforcuar atë që Idrizi pohoi ditën e djeshme. Fjala e administratorit dhe konfirmimi për kalimin e pagave ditën e hënë, hedhin poshtë të gjitha teoritë se Flamurtari vuan nga problemet financiare.