Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshje miqësore me Katarin ditën e mërkurën në Spanjë. Ditën e djeshme trajneri Edy Reja bëri publike edhe listën e lojtarëve të grumbulluar duke u fokusuar te “produkti” vendas.
Për të folur për këtë sfidë ka dalë në konferencë për shtyp, tekniku italian, i cili ka theksuar se të gjithë lojtarët e grumbulluar e kanë merituar ftesën e kombëtares.
Ku ndryshon kjo miqësore nga ajo me Arabinë saudite? - Ne vazhdojmë punën tonë edhe me këtë ndeshje për të shikuar lojtarët sidomos ata të Superiores, në mënyrë që të tregojnë vlerat. Për sa i përket miqësores me Arabinë Saudite mendoj se meritonim dhe fitoren. Tani kemi përballë Katarin, një skuadër akoma më të mirë se Arabia Saudite. Një kombëtare që ka marrë lojtarë nga jashtë. Për Shqipërinë është një test shumë i rëndësishëm. Për t’i dhënë një mundësi lojtarëve që të tregojnë se e meritojnë në të ardhmen një ftesë nga Kombëtarja.
Nga 1 te 10 sa ndryshon kjo Kombëtare me Kombëtaren A? - Unë jam i bindur se ky grup do të bëj një paraqitje mjaftë të mirë me Katarin, por s’mund të bëj një krahasim të veçantë për çdo individë. Këta lojtarë e meritojnë që të luajnë me Kombëtaren shqiptare. Ne i japim mundësinë sepse i kemi ndjekur vazhdimisht. Për mua nuk ka ndryshim midis kësaj Kombëtareje ose asaj A, për mua janë të gjithë njësoj.
Nuk mund t’i marrim dot të gjithë. Ne kemi marrë lojtarë të rinj, 22, 23 apo 24 vjec. Ka edhe lojtarë të tjerë të vlefshëm por ka edhe të tjerë që mund të japin shumë për kombëtaren. Shpresoj që në të ardhmen të kemi akoma të tjerë por për momentin unë kam grubmbulluar këta që mendoj se mund të japin diçka në të ardhmen e kombëtares.
Cilët nga këta futbollistë që janë grumbulluar mund të jenë pjesë e Kombëtares në të ardhme? - Kam disa lojtarë që më kanë përshtypje të mira dhe mund t’i ftoj në të ardhme. Nuk do të doja të merresha me emra të veçantë. Janë të gjithë lojtarë shumë të vlefshëm. Janë lojtarë që kanë vlera të rëndësishme dhe kanë bërë paraqitje shumë të mirë, duke shprehur potencialin e tyre. Këtë herë do të kem mundësi të aktivizoj lojtarë që nuk do të luajnë thjesht 45 minuta, ndoshta do të luajnë 60 minuta apo më shumë. Ndaj Arabisë Saudite, doja që të luanin të gjithë. Do të jetë mundësi e mirë për ta por edhe për stafin teknik, për të marrë më shumë indikacione.
Ndonjë te re për të ardhmen? - Nuk ka ndryshuar asgjë në krahasim me herën e fundin. Nuk ka asnjë të re. Kur të mbarojë kontrata do të ulemi me të gjithë dhe do të diskutojmë për të ardhmen.
Përshtypja për lojtarët e kampionatit shqiptar - Vlerësimi im është shumë pozitiv, ka shumë aspekte të mira, siç ka edhe mangësitë e veta. Flitet shpesh që edhe niveli i Serisë A nuk është aq lartë në krahasim me vendet e tjera, dhe kombëtarja italiane e vuan këtë fakt me rivalët e mëdhenj të Europës. Gjërat që duhen thënë është se duhet të punojmë shumë me të rinjtë, me bazën. Lojtarët e kanë marrë formimin e tyre dhe baza është shumë e rëndësishme.
Fokusi në Shqipëri duhet të jetë te futbolli i moshave, për të formuar lojtarët në aspektin taktik. Lojtarët fizikisht ishin shumë mirë, por nga ana taktike kanë probleme. Duhet të jemi më shumë kompetitiv për tu rritur. Kam ndjekur Kombëtaren U-17, mund të them që ka një përmirësim gradual, duhet të përmirësohemi. Janë shumë të vlefshme këto teste, për të parë se ku jemi dhe sa të aftë jemi për t’u përballur me Kombëtaret e tjera. Për lojtarët e kampionatit shqiptar është mundësi e mirë për eksperiencë. Të rinjtë duhet të rriten sa më mirë dhe të përmirësohen veçanërisht në aspektin taktik.
Mund të përmendimn që kjo nuk eshtë datë e dhënë nga UEFA dhe klubet nuk i japin kollaj. Kemi pasur edhe disa emra të tjerë por nuk janë lejuar. Përmend këtu lojtarin e Lecce, Medon Berishën i datëlindjes 2003.
E ardhmja në kualifikuese – Ne duhet të bëjmë një paraqitje shumë të mirë. Unë e kam shprehur gjithmonë që ne mund të luajmë shanset tona per të arritur në finalet e Euro 2024. Kemi rival të fortë si Polonia e Cekia por nëse ne arrijmë të rregullojmë difektet tona kemi mundësi të mira për të dalë të dytët. Miqësoret për mua janë si ndeshje zyrtare. Unë i shikoj me rëndësi cdo ndeshje. Lojtarët kanë rast të tregojnë vlerat e tyre me Katarin dhe e njëjta gjë vlen edhe me Italinë ku do të jetë pak më e rëndësishme për shkak të nivelit të kundërshtarit. Mentaliteti ynë duhet të jetë i njëjtë me të tjerët, nuk duhet të jemi inferior.