
Kundërshtari i Tiranës në fazën e parë të kualifikueseve të Champions League është Dinamo Tbilisi. Skuadra nga Gjeorgjia ka një organikë të pasur lojtarësh. Në një intervistë për Live.Ge, ka folur trajneri i Dinamo Tbilisit, Kakhaber Chkhetiani. 42 vjeçari vlerëson maksimalisht Tiranën, duke pohuar se bardheblutë kanë mjaft eksperiencë. Diçka u tha edhe për munegsën e tifozëve, që padyshim do ndihet.
''Kemi mësuar së fundmi kundërshtarin tonë dhe me informacionet e mbledhura, bazuar mbi to, mund të themi është një ekip i mirë dhe me përvojë. Ata lanë pas tyre Kukësin në kampionat, një ekip i njohur për ne. Përveç kësaj, ata kanë shtatë të huaj në ekip, përfshirë një anglez, një brazilian dhe një argjentinas. Tiranës nuk i mungon as tradita, pasi është klubi më i titullar në Shqipëri. Në të shkuarën kam luajtur dhe kam fituar kundër një ekipi shqiptar.
Tirana ka stil tjetër loje. Ajo që kam mësuar kundër skuadrave shqiptare, është se nuk duhet të ndalesh edhe pasi ta fitosh ndeshjen e parë. Ata janë të aftë të luajnë edhe në ndeshjen e dytë dhe ta kthejnë gjithë skenarin. Tani është me një ndeshje dhe duhet ta kalojmë atë, pasi përfaqësojmë jo vetëm Dinamon dhe Tbilisin, por gjithë Gjeorgjinë. Është diçka e keqe që nuk do t'i kemi tifozët në krah, pasi ata janë një motivim shtesë dhe burim emocionesh për futbollistët. Sidoqoftë është mirë që po luajmë në shtëpi dhe nuk do të kemi nevojë të udhëtojmë dhe të përshtatemi me një mjedis të ri" - pohon ai.