
Dinamo ia ka dalë të marrë një fitore të rëndësishme ndaj Laçit. “Blutë” triumfuan 2-0 ndaj kurbinasve në “Niko Dovana” në sfidën e javës së 15-të të Superiores. Fatjon Andoni dhe Patrik Bardhi ishin autorët e golave në këtë përballje.
Pas kësaj sfide, për mikrofonat e MCN TV, ka folur trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti.
“Dua të falënderoj fillimisht çunat për shpirtin e garës që treguan, jo vetëm sot, por gjatë gjithë kohës kur po i trajnoj. Kanë treguar profesionalizëm të gjithë. Në një sukses kanë rendësi të gjitha faktorët, por kryesorët janë lojtarët. Gjithçka shkon për ta.
Në pjesën e parë, në disa momente ishim dominues. Ishim më lart sa i përket zotërimit të topit. Shkuam më shpesh te porta. Pjesën e dytë duhet ta nisnim ndryshe. Laçi na dominoi 20-25 minuta. Skuadra krijon tension. Kjo edhe për meritë të Laçit, sepse ka elementë të mirë dhe cilësorë. Jam i gëzuar që skuadra është në ekuilibër dhe nuk pëson gol. Duhet të punojmë sepse kemi shumë gjëra për të përmirësuar.
Kampionati është shumë i ngjeshur. Me një hap fals shkon te zona e kuqe. Është një kampionat i vështirë. Skuadrat nuk kanë shumë diferenca. Duhet të jemi të përqendruar”, u shpreh Mehmeti.