
Futbolli në Shqipëri është pezulluar prej 2 muajsh, ndërsa të shumtë kanë qenë lojtarët që kanë udhëtuar drejt vendeve të origjinës. Një nga klubet më të prekura nga kjo situatë është Dinamo, që sheh mjaft lojtarë të huaj në organikën e vet. Në kushtet kur mendohet rinisja e garës dhe në 18 maj stërvitjet individuale në terrenet sportive, kryeqytetasit që militojnë në Kategorinë e Parë kanë disa çështje për të zgjidhur.
Nisur edhe nga masat që janë marrë ndaj Covid-19, Dinamo kërkon që të lejohen fluturimet drejt Shqipërisë për lojtarët e saj që gjenden jashtë kufijve. Dovidio e Pontreli si dhe pjesëtarët e stafit, Enco e Roberto Pasareli me trajnerin Cammarata gjenden në Itali, duke kërkuar kështu një rrugë shpëtimi nga Ambasada shqiptare në Romë. Pjesa tjetër e lojtarëve të huaj të Dinamos kanë vendosur të qëndrojnë në Tiranë, duke qënë në çdo kohë gati për t'iu rikthyer stërvitjes.