
Dje, Bylis dhe Tirana u përballën në kuadër të javës së nëntë të Superiores, takim i mbyllur me shifrat 3-1 në favor të vendasve. Ai që spikati në radhët e mallastriotëve ishte sulmuesi nigerian Saliu Guindo i cili u shndërrua në rrezik potencial për miqtë bardheblu. Mjaft i shpejtë dhe teknik, prapavija e Tiranës e pati shumë të vështirë ta markonte. Madje arriti të shënonte edhe golin e dytë të takimit pas një sprinti të fuqishëm nga krahu i majtë i fushës.
Notë pozitive për lojtarin e ballshiotëve. Nga ana tjetër bardheblutë u munduan të kundërpërgjigjen, por Ismael Dunga nuk mjaftoi për Tiranën. Dukshëm sulmi mallakastriot ishte më lart se ai kryeqytetas. Të dy lojtarët e sipërpërmendur janë afruar në merkato nga dy ekipet e Superiores. Guindon është marrë nga Skënderbeu një vit më parë, skuadër që ka bërë histori në kampionatin shqiptar. Veç kësaj klubi korçar është shquar gjithmonë për pikasjen e talentëve. Ndërsa Dunga arriti të shkëlqente për pak kohë te bluzinjtë. Cilësisht të dy futbollistët kanë diferenca.
Në një moment kur Bylis arrin të tregohet i saktë në merkato duke rrëmbyer lojtarë nga Skënderbeu, ndërsa Tirana afron një futbollist nga Luftëtari, pse paragjykohen ballshiotët? Para takimit të gjithë ishin skeptikë për ekipin e Dovedan. "Janë rastësisht në vend të parë", flitet shpesh për Bylisin. Ndërkohë nga ndeshja në ndeshje po tregojnë se prodhojnë spektakël, kanë ditur si të punojnë në merkaton, frutet e së cilës po korren në këto momente.