
Tirana dhe Partizani prej ditësh kanë nisur të ndërtojnë skuadrat për sezonin e ri. Sigurisht fillimisht po mendohet për pjesmarrjen në garat europiane, ku demat do të luajnë në Champions dhe bardheblutë në Conference League.
Por këtë herë do të ketë një “derbi” mes ekipeve kryeqytetase, jo në fushën e lojës, por në merkato. Sipas shtypit të shkruar bëhet e ditur se Tirana po mendon për Armando Sadikun. Kujtojmë se para disa ditësh ishte Partizani që i propozoi qendërsulmuesit të ishte pjesë e demave për Europën, por akoma nuk ka marrë një përgjigje nga elbasanasi.
Në këto kushte futja në garë e bardhebluve mund të ndryshojë shumë gjëra. Heroi i 2016 raportohet nga mediat spanjolle se ka vendosur të mos rinovojë me Cartagenan dhe në këto kushte një transferim në Superiore nuk do të përjashtohej.
Mbetët të shihet se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Armando Sadikut dhe nëse njëra nga skuadrat kryeqytetase do t’ia dalë të sigurojë shërbimet e sulmuesit të kombëtares.