
Tirana prej ditësh vazhdon përgatitjet për Superkupën e Shqipërisë, takim që do të luhet më 7 dhjetor në “Air Albania”, ndërsa kundër do të kenë Vllazninë. Bardheblutë gjatë stërvitjes së djeshme i ka “shqetësuar” Toshevski, i cili është dëmtuar në kavilje ndërsa rrezikon kështu edhe klasiken e Shqipërisë.
Mbrojtësi maqedonas është detyruar të ndërpresë stërvitje pasi dëmtimi në kavilje e bente të pamundur, ndërsa te stafi i Orges Shehit shpresojnë që lojtari të mos ketë gjë serioze edhe pse shpresat janë të vogla.
Përpara dueli me Vllazninë, kampionët kanë programuar që ditën e sotme të zhvillojnë edhe një ndeshje miqësore me skuadrën e Kategorisë së Parë, Besën. Një miqësore që do i japë mundësinë Shehit të shikojë edhe gjendjen e lojtarëve përpara sfidës me shkodranët. Sfida me kavajasit do të zhvillohet ditën e sotme duke nisur që nga ora 12:00 në "Selman Stërmasi".