
Tekniku i Kombëtares Shqiptare De Biassi foli në pritjen e organizuar nga Kryeministria për djemtë e Kombëtares. Ai vlerësoi pafund mbështetjen e dhenë nga kryeministri Rama dhe drejtuesit e Federatës për të dhe djemtë. Mes emocioneve De Biassi u shpreh se nuk është mësuar të mbaj fjalime përpara politikanëve, por sot ka mbajtur disa shënime dhe është dita të thojë ca fjalë për të gjithë.
‘’Është e vështirë të flasësh para teje Edi, kam marrë disa shënime dhe do përpiqem të jem i përmbledhur pavarësisht se nuk jam mësuar të flas përpara politikanëve dhe zyrtarëve’’, i është drejtuar tekniku Kryeministrit.
Tekniku De Biassi ja adreson suksesin forcës së grupit, vendosmërisë së djemve për të tejkaluar interesat personale. Ai u shpreh se historia do të jetë ajo që do të vlerësojë ecurinë në Francë të djemve të Kombëtares.
‘’Jemi krahasuar me Leicesterin, por unë nuk e di si ta përshkruaj eksperiencën tonë,për të do të flasë historia. Mendoj se pas këtij kampionati , bota po na merr në konsideratë pasi ne krijuam një grup përtej individëve,u mbështetëm te fuqia e stafit, e lojtarëve, ndihmësve, të gjithëve. E rëndësishme është që këta djem kanë tejkaluar veten për të qënë pjesë e forcës së grupit’’, vazhdoi De Biassi.
Tekniku De Biassi nuk ngurroi të kujtonte as historinë e shqiptarëve, ku për të shembulli i Skëndërbeut është më i rëndësishmi.
‘’Unë i jam referuar shembullit historik të Skëndërbeut për fuqinë e grupit,ashtu si ka thënë ai për shkopinjtë.Nëse të gjithë do të bëhemi bashkë askush nuk mund të na thyejë. Edhe tifozët luftuan për ne , ata i fituan të gjitha ndeshjet që luajtën, në ndryshim nga ne. Ajo që bëmë ne në Lion ishte një mrekulli,por që më shumë do ta vlerësojë historia. Ishte një mrekulli e bazuar mbi humanizmin, një leksion humanizmi për gjithë botën’’, u shpreh tekniku.
De Biassi ka pasur një falenderim dhe për të gjithë tifozët e Shqipërisë së madhe që u mblodhën në Francë nga të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët.
De Biassi në fund të takimit u shpreh dhe për të ardhmen. Ai i tha kryeministrit se do të qëndrojë gjatë në vendin tonë dhe shumë shpejt mund të synojë të bëhet kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë. Duke qenë se është bërë më shqiptar se italian.