Mbrojtësi i Juventus, Daniele Rugani rezultoi pozitiv me covid-19. Në testet e fundit, lojtari italian alarmoi stafin mjekësor dhe klubin, duke bërë që të karantinohej në J Medical. Për 14 ditë, 25 vjeçari do qëndrojë i izoluar edhe pse sipas mjekëve nuk ka shenja klinike. Gjithashtu, i njëjti vendim është marrë edhe për pjesën tjetër të skuadrës edhe pse deri të martën pas dreke lojtari u stërvit rregullisht pa asnjë shenjë virusi, sipas mediave italiane.
Testi i parë përpara duelit me Inter përpara 5 ditësh rezultoi negativ, teksa vetëm në orët e fundit të së martës, lojtari kishte ethe të forta; çka detyruan mjekët t'i bënin sërish një tjetër test. Rugani rezultoi i pari lojtar i Serie A me coronavirus, teksa edhe skuadra e Inter, të fundit që u përballën me bardhezinjtë do qëndrojnë për 14 ditë në karantinë.
Edhe e fejuara e Ruganit, Michela Persico iu nënshtrua testit, pasi gjithashtu ajo ka një origjinë nga Albino, qytet jo larg Bergamos, zonës më të prekur nga urgjenca e Coronavirusit. Tanimë Daniele Rugani do të qëndrojë në karantinë, teksa UEFA duhet të vendosë për ndeshjen e 17 marsit për Ligën e Kampionevë mes bardhezinjve dhe Lyon.