
Dajan Shehi ishte "heroi" i Vllaznisë në ndeshjen e pak ditëve më parë ndaj Apolonisë. Qendërmbrojtësi u aktivizua në mungesë të Adilit të pezulluar dhe shënoi golin e fitores duke rikthyer shkodranët te marrja e 3 pikëve. Në një intervistë për "Sport Magazine" në Ora Neës, Shehi u shpreh se ky gol ishte një sinjal për trajnerin Brdariç në mënyrë që ta aktivizojë sa më shumë, ndërsa zbuloi edhe dy rivalët e Vllaznisë për titull.
Fitorja ndaj Apolonisë? "Ishte një fitore që duhej arritur pasi vinim pas një mini-krize. Duhej kjo fitore për të na rritur moralisht dhe jemi pranë objektivit.
Trajneri e vendos se kush luan dhe unë jam gjithmonë gati. Ndihem shumë me fat që jam pjesë e kësaj skuadre, por tani të shikojmë dhe ia lëmë kohës. Kam shumë dëshirë që të arrijmë objektivat e klubit që janë Kupat e Europës, por edhe të dalim kampion pasi jemi në vend të parë. Shpresoj që të bëjmë edhe të lumtur tifozët duke arritur të fitojmë titullin.
Ka shumë edhe ndeshje në lojë dhe çdo gjë bëhet edhe më e vështirë pasi ka skuadra të forta si Partizani, Teuta apo edhe Laçi. Do t'I marrim ndeshjet një e nga e një dhe në fund shpresoj të realizojmë objektivin titull. Në Superligë ka shumë skuadra të forta, por do të veçoja Partizanin dhe Laçin që kanë një ekip shumë të fortë.
Këtë sezon kam luajtur pak dhe kam qenë gati për skuardrën. Shpresoj të kem më shumë minutazh e puna do të shpërblehet. Mendoj se I kam dhënë një sinjal të mirë dhe është ai që vendos".
E ardhmja? "Dëshira ime është të vazhdoj te Vllaznia, por të shikojmë në fund të sezonit. Kam pasur një aventurë 6 mujore në Kroaci dhe kam mësuar shumë gjëra. Futbolli kështu është edhe nuk të ecën ndonjëherë".
Dedikimi për golin? "Në radhë të parë falënderoj Zotin dhe familjen time sepse më ka qëndruar gjithmonë pranë. Këtë gol ia dedikoj babait tim pasi ai më ka marrë në telefon para ndeshjes dhe më tha "ki besim te vetja sepse sot do të shënosh". Unë e pashë në ëndërr dhe jam shumë i lumtur që shënova. Ja dedikoj plotësisht golin atij".