
Kavajasi Sokol Cikalleshi gajtë ndeshjeve të fazës eliminatore të Europianit ka qenë i preferuari i trajneri Xhani De Biazi në formacion, por në fazën në grupe po ndodh krejt e kundërta. Tekniku italian e ka ulur në stol, ndërsa ka preferuar që në vend të tij të luajë Sadiku. Cikalleshi nuk është aspak xheloz për shokun e skuadrës, ndërsa është i interesuar vetëm për kualifikimin e Shqipërisë në fazën e 1/8-ave. “Pritja duhet parë në dy këndvështrime. Unë e shoh diçka pozitive për kalimin e grupit. Ne shpresojmë që të kemi fund të lumtur. Jemi me tension në këtë moment. Me çunat flasim vetëm për ndeshjet e darkës, kush na kualifikon e kush jo”, thotë fillimisht kavajasi.
Në formacion – “Jam gati dhe gjithmonë kam qenë gati të luaj, por trajneri vendos. Duhet respektuar dhe do ta respektoj. Do të ishim të lumtur në radhë të parë të kalojmë grupin, për të tjerat respektoj trajnerin. Të jesh sulmues i Kombëtares është privilegj. Me performancën e çdo ndeshje, mund të them vetëm që janë zgjedhje të trajnerit dhe performanca e Sadikut është e mirë dhe trajneri ka menduar që Sadiku ka qenë zgjedhja më e mirë. Nuk duhet të kthehemi nëse ishte Cikalleshi në fund do ishte më mirë apo më keq, vetëm duhet të shohim përpara për kualifikimin”.
Kualifikimi – “Edhe dje ishim parë ndeshjen e Anglisë, po humbnin raste Vardy me shokë, edhe ne kemi humbur raste. Por, ne do të rrijmë sot me sy e vesh nga ndeshjet e tjera, ndaj ne do të rrijmë në pritje”.