Senad Lekaj ka hedhur akuza për ryshfet mbi titullarët e Vllaznisë, pasi atij i është kërkuar që të lërë stërvitjen dhe se nuk mund të ishte pjesë e kuqbluve. Për këtë gjë kanë reaguar administratori i klubit shkodran, Astrit Gjyrezi dhe trajneri Armando Cungu.
Gjyrezi kërkon ta çojë çështjen në Prokurori, ndërsa Cungu shprehet se ai person që merr sikur një gjysmë kafeje, duhet të lërë klubin, në të kundërt do të largohet vetë trajneri.
[caption id="attachment_14702" align="alignleft" width="300"] Senad Lekaj kur luante për Vllazninë[/caption]
Gjyrezi: "Ne nuk mund të marrim përsipër mbrojtjen e drejtuesve të mëparshëm të klubit, por do të ishte mirë që futbollisti Senad Lekaj nëse ka fakte, t'i bëjë ato konkrete me emër dhe mbiemër sepse do të ndihmonte shumë klubin për këtë gjë por edhe opinionin sportiv. Sa i takon periudhës së fundit, kam qenë unë që i kam dhënë mundësinë futbollistit në fjalë për t'u provuar tek skuadra ndonëse kishte vite që e bënte këtë gjë dhe asnjëherë se kishte kaluar provën. Si rrjedhojë, nëse ai nuk e ka bindur stafin, nuk ka pse të aludojë gjëra të tilla. Ai që vendos për merkaton se kush duhet të qëndrojë dhe kush të largohet, por që merr njëkohësisht edhe përgjegjësitë për të, është trajneri, të cilit asnjëherë nuk i është ndërhyrë në vendimet e marra. Nëse futbollisti në fjalë ka diçka për ndonjë drejtues tjetër të klubit, siç dhe aludon, ta thotë me emër e mbiemër. Në rast të kundërt, nëse Senad Lekaj nuk mohon të ketë pasur ndonjë problem të tillë gjatë periudhës që unë drejtoj klubin dhe të bëjë përgënjeshtrimin e duhur, atëherë ditën e hëne do të përballet me mua në Prokurori sepse kurrsesi nuk mund të lejojmë askënd të përbaltë emrin tone por edhe atë te klubit Vllaznia", shprehet Gjyrezi.
[caption id="attachment_19465" align="alignleft" width="300"] Voltana Ademi, Astrit Gjyrezi dhe Armando Cungu[/caption]
Cungu: "Se çfarë ka ndodhur më përpara, nuk marr përsipër t'i dal për Zot. Flas për periudhën që unë drejtoj këtë skuadër dhe nëse ka njeri që provon të kundërtën e ndershmërisë time, jam gati të ballafaqohem kudo me të. Jo vetëm kaq. Nëse dikush provon që një person në klub, i ka kërkuar ryshfet për të luajtur me Vllazninë, një rrugë të vetme ka: o iki unë ose ai person ne klub qe ka marre qofte edhe nje kafe te vetme dikujt, nuk punon me aty. Unë nuk do të pranoja kurrë të punoja me njerëz të tillë. Për këtë duhet të jenë të bindur të gjithë. Askush nuk mund të luajë me emrin e Vllaznisë,askush nuk mundet të luajë me emrin e Armando Cungut dhe për më tepër me ndershmërinë e tij. Futbollistë të tillë që flasin kështu, pa dhënë asnjë provë, asnjë emër, por me një qëllim të vetëm: përbaltjen e emrave të ndryshëm, nuk vlejnë për asgjë. Tek Vllaznia njeriu i vetëm që vendos për një futbollist nëse qëndron në skuadër apo jo, jam unë dhe këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë. Sa për histori të vjetra, ka pasur kohë prej 7 vitesh t'i deklaronte këto gjëra sepse do t'i kishte bërë nder Vllaznisë, skuadrës që ai thotë se e ka pasur ëndërr të vesh fanellën e saj", përfundon trajneri Armando Cungu