
PSG-ja nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga Victor Osimhen. Sulmuesi i Napolit është i preferuari i drejtuesve të paricienëve për të zëvendësuar Kylian Mbappe, me këtë të fundit që do të largohet drejt Madridit në fund të këtij sezoni.
Aurelio De Laurentiis nga krahu tjetër është shumë i vendosur dhe nuk do të pranojë asnjë ofertë poshtë 120 milionë eurove, shumë kjo që konsiderohet e lartë nga kampionët e Ligue 1. Në këtë mënyrë kanë menduar një tjetër alternativë për të bindur presidentin e napolitanëve.
Sipas “Il Mattino” bëhet me dije se PSG-ja do t’i afrojë Napolit 3 lojtarë që kapin shifrën e 62 milionë eurove si dhe pjesën tjetër ta paguajnë cash. 3 lojtarët që do të ‘sakrifikohen’ për Osimhen janë: Marco Asensio, Carlos Soler dhe Kang-in Lee.
Përpos përpjekjes së PSG-së, duket e vështirë që De Laurentis të pranojë këtë propozim, pasi ai dëshiron të marrë 120 milionët në mënyrë që të investojë në klubin e tij. Përveç PSG-së, në garë për Osimhen janë edhe klubet e mëdha angleze si Chelsea, Manchester United dhe Arsenal.