
Leo Messi ka folur për mundësinë që ai të marrë pjesë në Kupën e Botës në vitin 2026 që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Argjentinasi që mban fronin e kampionit të botës pasi mposhti Francën në finalen Katar 2022, u shpreh se do të shohë nëse do të jetë ende në nivel për të kontribuar për bardhekaltrit.
“Kjo varet nga mënyra se si ndihem, si jam fizikisht dhe të jem realist me veten. Ka mbetur shumë kohë. Shkon shpejt, por ka ende pak kohë dhe nuk e di se si do të jem në atë moment, në qershor 2026. Mosha është gjithashtu një realitet që ekziston, edhe pse është thjesht një numër. Më duhet të marr parasysh çdo faktor për këtë.
Ndeshjet që do të luaj tani nuk janë të njëjta me ato që luajta kur isha në Europë çdo tre ditë, qoftë në Champions League, LaLiga apo Ligue 1. Por kjo varet nga mënyra se si ndihem dhe çfarë ndjej duke qenë përkrah shokëve të mi të skuadrës, dhe duke parë nëse jam ende në nivel apo jo... le të shohim!”- tha ai.