Klubi i Vorës ka ardhur me një reagim në rrjetet sociale, ku sqaron pozicionin e saj lidhur me organizimin, ndërtimin e skuadrës, lëvizjet në merkato dhe të tjera vendimmarje sportive.
Sipas tyre, emri i klubit është përdorur shpesh nga inviditë ose palë të treta për qëllimet personale duke përhapur informacione që nuk përfaqësojnë qëndrimet e tyre zyrtare.
Në fund, vorakët ftojnë të gjithë tifozët dhe partnerët, përfshi këtu dhe median që t’iu referohen vetëm kanaleve zyrtare të komunikimit që ata kanë në dispozicion, teksa shtojnë se do të vazhdojnë me profesionalizëm, integritet dhe transparencë për të mbrojtur në çdo moment interesat e tyre.
NJOFTIMI:
"Futboll Klub Vora dëshiron të sqarojë opinionin sportiv se çdo çështje që lidhet me organizimin e klubit, ndërtimin e skuadrës, merkaton, kontratat dhe vendimmarrjen sportive menaxhohet ekskluzivisht nga strukturat zyrtare të klubit.
Për këtë arsye, kërkojmë që emri i FK Vora të mos përdoret nga asnjë individ, lojtar, menaxher apo palë e tretë për interesa personale, përfitime individuale apo për të përhapur informacione, pretendime ose perceptime që nuk përfaqësojnë qëndrimet zyrtare të klubit.
Çdo komunikim që lidhet me aktivitetin, merkaton apo vendimmarrjen e FK Vora mbetet kompetencë ekskluzive e strukturave zyrtare të klubit.
FK Vora është një institucion sportiv i organizuar, me strukturat e veta drejtuese, stafin teknik dhe administrativ, të cilët punojnë çdo ditë në funksion të objektivave dhe interesave të klubit. Çdo vendim që lidhet me afrimet, largimet, rinovimet apo çështje të tjera sportive merret vetëm nga organet kompetente të klubit, në përputhje me strategjinë dhe vizionin e tij afatgjatë.
Klubi nuk mban përgjegjësi për deklarata, pretendime apo informacione të shpërndara nga persona të paautorizuar. Ftojmë të gjithë tifozët, partnerët dhe median t'u referohen vetëm kanaleve zyrtare të komunikimit të FK Vora për çdo informacion që lidhet me aktivitetin e klubit.
FK Vora do të vazhdojë të veprojë me profesionalizëm, integritet dhe transparencë, duke mbrojtur në çdo rast emrin, vlerat dhe interesat e klubit.
FUTBOLL KLUB VORA!"
