Bayern Munich do të përballet në transfertë, kundër ekipit të Leipzig. Ndeshja e cila do të luhet sot, në orën 17:30 është e vlefshme për javën e 18-të të Bundesligës.
Në një kohë kur bavarezët mbajnë “bindshëm” kryesimin, Leipzig i cili ndodhet në vendin e 3-të patjetër që do të tregojë “egërsinë” në fushë që t’i afrohet sa më shumë rivalit të tij “gjigant”. Megjithatë nga Bayern Munich ka edhe një lajm të mirë pasi, sulmuesi Jamal Musiala mund të bëjë rikthimin e tij në skuadër.
Një rikthim i shumë pritur pas dëmtimit të rëndë që pësoi në ndeshjen e cila ishte e vlefshme për Kupën e Botës për Klube që ishte në korrik.
Ndërsa lajmin që Musiala mund të jetë pjesë e ndeshjes u bë i ditur nga trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany. Ai ka shpjeguar se nëse gjithçka shkon mirë sulmuesi do të jetë pjesë e ndeshjes, duke vënë në dukje edhe energjinë pozitive të futbollistit.
“Nëse gjithçka shkon mirë sot, ai do të jetë atje. Kjo është një gjë e shkëlqyer”, ka thënë tekniku i skuadrës bavareze.
Ndër të tjera në deklaratën e tij për mediat trajneri Kompany ka cekur se nuk do të ushtrojë aspak “presion” fitoreje as për Musailan por as për mbrojtësin Alphonso Davies, i cili është gjithashtu në proces rikuperimi.
"Nuk pres që ata të vendosin ndeshjet për ne," është shprehur trajneri Kompany.
