
Redon Xhixha duket se i ka ditët e numëruara te Tirana. Për sulmuesin kurbinas ashtu siç "Newsport" ka raportuar muaj më parë ka interes nga skuadrat të huaja, por listën për shërbimet e 24-vjeçarin e kryeson Ferencvaros. Xhixha këtë sezon ka arritur të shënojë 11 gola në 16 sfida të luajtura në “Abissnet Superiore” duke udhëhequr jo vetëm sulmin e kampionëve, por edhe të jetë golashënuesi më i mirë i kampinatit deri më tani.
Siç duket hungarezët i pëlqejnë shërbimet e 24-vjeçarit dhe janë të gatshëm të paguajnë 500 mijë euro. Sipas raportimeve palët kanë nisur bisedimet mes tyre, ndërsa si pjesë të marrëveshjes pritet të jetë dhe një përqindje e kartonit që do të mbahet nga bardheblutë, të cilët kërkojnë të përfitojnë në rast shitje diku tjetër të Xhixhës. Kujtojmë se më parë te Ferencvaros është aktivizuar edhe Myrto Uzuni, i cili arriti të bëntë mjaft mirë.
Ndërkohë Tirana nuk ka qëndruar me duar kryq, pasi Kristal Abazaj është shumë afër kalimit te bardheblutë, i cili do të ishte një tjetër afrim cilësor pas Regi Lushkjes. Ish-lojtari i Kukësit pritet që të zëvendësojë më së miri Xhixhën në rast se gjithçka konkretizohet që të largohet nga Shqipëria.