Pak ditë më parë Renato Arapi ishte drejt firmës me skuadrën turke Boluspor, e cila luan në Kategorinë e Parë të shtetit ballkanik. Arapi u kërkua me ngulm nga ekipi turk, por që në fund marrëveshja u prish për disa detaje me rëndësi.
Lojtarit iu premtua se në rast se do të firmoste do të përfitonte një kontratë të vlefshme prej 160 mijë euro në sezon, plus bonus 50 mijë euro në rast se kjo skuadër do të ngjitej në Super Ligën turke bëjnë të ditur burime për "Newsport.al".
Por, brenda natës çdo gjë ndryshoi. Kur lojtari shqiptar shkoi të firmosë, në kontratë ishin ndryshuar shifrat e marrëveshjes. Ai do të përfitonte 100 mijë euro në sezon dhe pjesa tjetër e pagesës do të jepej në formë bonusi. Kjo nuk u pranua nga mbrojtësi i Partizanit, i cili refuzoi dhe u kthye në Shqipëri.
Shifra të përafërta parash ai i përfiton në sezon te të kuqtë, çka kanë shtyrë qendërmbrojtësin që të tërhiqet dhe të qëndrojë në Shqipëri, ku mund të jetë dhe më pranë familjes. Mësohet se ka qenë dhe këmbëngulja e presidentit Gazment Demi, i cili i ka bërë të ditur ofertën e tij futbollistit, duke e bindur që të qëndrojë këtë sezon me "demat".