Partizani luajti dje kundër Tiranës, sfidë që përfundoi me rezultatin 1-2 në favor të bardhebluve. Dy lojtarët më të dobët në radhët e të kuqve ishin qendërmbrojtësi Dejan Boldor si dhe mesfushori Aristoteles Romero.
Dy futbollistët e ardhur në merkaton e verës bënë shumë gabime, madje të dy golat erdhën për fajin e tyre. Një gjë të tillë e ka analizuar menaxheri Andi Matraxhiu që përmes një postimi në rrjetet sociale kritikon faktin se asnjëherë këta dy futbollistë nuk janë penalizuar nga ana e drejtuesve edhe po gabojnë sistematikisht.
“Me të vërtetë derbi u humb nga Partizani, por ta analizosh me detaje, dy lojtarët Romero dhe Boldor gabonin në mënyrë fatale. Veprime të palejueshme në një ndeshje derbi. Gjithëkush mund të gabojë, por Romero humbi topin tek të dy golat e shënuar nga Tirana që erdhën si pasojë e kundërsulmit.
Ndërkohë që Boldor gabon rregullisht çdo ndeshje, jo vetëm sot (dje) në derbi. Të dy këta lojtarë kanë një dorë të fortë menaxhimi nga pas, e cila i mbulon gabimet e tyre brenda për brenda territorit të kuq. Nëse lojtarët do të kishin menaxherë të tjerë, menjëherë do të dilnin tek “gardhi” ata së bashku me menaxherin.
Por, në rastin konkret Boldor – Romero & CO janë me “jelek antiplumb” dhe duhet kohë t’i futet gjembi në trup. Është koha të kritikojmë dhe të kemi kulturën e duhur për të mirëkuptuar çdo kritikë. Të mos ta quajmë sulm, por pasqyrim të realitetit”, shprehet Matraxhiu.