
Edi Rama ka dalë në konferencë për mediet, ku është e pranishme edhe ministrja e Financave, Anila Denaj. Ndër të tjera, kryeministri është ndalur te futbolli në vend që prej 3 javësh është bojkotuar për shkak të kushteve të paplotësuar nga qeveria në lidhje me Ligjin e Sponsorizimeve.
I prerë, Edi Rama e tha hapur që nuk do të bëjë asgjë më shumë për kushtet e kërkuara, madje theksoi se bojkoti do të vazhdojë për sa kohë do të kenë dëshirë klubet. Në fjalën e tij para gazetarëve, i pari i qeverisë u shpreh:
"Futbollistët nuk paguhen në minimum jetik. S'paguhen 230 mijë lekë. Ne po bëjmë maksimumin për pastrueset. Marrin shumë më tepër, mijëra euro. S'mund t'i themi që s'keni taksa për 10 vite kur edhe Messi dhe Cristiano përfundojnë në gjykata për taksat. Patjetër një tolerim dhe një TVSH 6 përqind për investimet në sport. Mund të shihet taksa për infrastrukturën sportive, patjetër që ne jemi gati të bëjmë gati edhe për zinxhirin e klubeve. Historia e këtij futbolli me pronarë që duan të shkarkojnë nëpër klube paratë që i detyrohen shtetit, nuk kalon.
As historia me biznesmenë të pasur që kanë veshur fanelën e futbollit dhe kujtojnë që mund të luajnë topash me qeverinë. Te pjesa e profesionistëve, gjërat janë të ndara. Këto historitë me modele këtej e andej, mos të na i tregojnë më. I dimë shumë mirë se si funksionojnë. Por, në sa vite ka shtet shqiptar mblidhini gjitha bashkë dhe për futbollin në radhë të parë, s'është bërë sa këto vite. Ne do të vazhdojmë të bëjmë futbollin, por ka limit. Habitem që nuk e kanë mësuar akoma se gjuha e bojkotit, e shantazhit me mua nuk funksionon. S'e kuptoj dot arsyen. Mbase e kanë më rehat që të bëjnë bojkot sepse i japin futbollistëve një minimum real, mbase jo.
Ndërkohë bëjnë luftë me qeverinë. Kjo s'ka për të funksionuar kurrë, le të bojkotojnë. Ata janë të pavaruar. Qeveria nuk ka detyrime për futbollin profesionist, por për sportin në përgjithësi. Futbolli është industri. Çdo gjë që është e arsyeshme për vendin dhe për futbollin jemi gati. Të gjithë të tjerët, ju që jeni këtu, pse ata duhet të jenë 10 vite pa taksa? Çfarë bëjnë më shumë se ju?", tha ai.