
Mbrojtësi Ditmar Bicaj nuk është me Partizanin në Itali, ku të kuqtë po zhvillojnë fazën përgatitore. Ai është ende me pushime në Turqi, ndërkohë që edhe e ardhmja e tij nuk është e qartë. nga burime konfidenciale për newsport.al mësohet se klubi i kuq i detyrohet futbollistit 30 mijë euro dhe, nëse do të likuidohet me këtë shumë, Bicaj do ta vazhdojë karrierën e tij te Partizani. Në rast të kundërt, mbrojtësi ka të drejtë ta prishë kontratën dhe të kalojë në një ekip tjetër. Kohët e fundit ka pasur jo pak kontradikta mes futbollistit dhe klubit kryeqytetas, madje në një rast Bicaj ka dalë hapur, duke sulmuar edhe ish-trajnerin Agostineli për qëndrimin në stol. Ditët në vazhdim do të qartësojnë të ardhmen e mbrojtësit, pasi për momentin me Partizanin e ndajnë 30 mijë euro. Emri i Bicjat është përfolur shumë edhe për kalimin në skuadra të tjera, si te Skënderbeu apo Flamurtari.